Nga dita e sotme, me startin në Durrës e deri më 1 qershor me finishin në Romë, bota e çiklizmit do të jetë e fokusuar në eventin e parë madhor të sezonit, siç është Xhiroja e Italisë. Për herë të parë në histori, ky kompeticon prestigjioz do të kalojë nga Shqipëria, me 3 etapat e para në vendin tonë, nga kjo e premte deri të dielën e 11 majit.

Një garë që pritet të ofrojë spektakël në të gjitha llojet e terreneve Por si në çdo event të përmasave të tilla sigurisht nuk mund të mungojë edhe një analizë e parave që do të shpenzohen në të. Shuma totale e çmimeve që do të shpërndahen në 21 etapat e aktivitetit është rreth 1.6 milionë euro.

Çdo ditë, fituesi i etapës do të arkëtojë mbi 11.000 euro si shpërblim. Përfitime monetare do të ketë për 20 çiklistët e parë që kalojnë vijën e finishit. Kështu, çdo ditë 27.540 euro do të shpërndahen për 20 vendet e para për secilën etapë.

Përveç çmimeve për etapat, shpërblime të tjera do të vijnë nga klasifikimi final i përgjithshëm. Shpërblimi për klasifikimin e përgjithshëm jepet në bazë të dy çmimeve të ndryshme, njëri i akorduar nga organizatorët e garës dhe tjetri që vjen nga shpërblimet speciale për çiklistët. Fituesi i klasifikimit të përgjithshëm do të fitojë 265.668 euro nga dy shpërblimet e sipërpërmendura. Ndërsa të gjithë çiklistët e pranishëm në top-20 do të marrin gjithashtu çmime.

Klasifikimi përfundimtar për maloristët (KOM, “King Of the Mountain” për Mbretin e Maleve) shpërblen me çmime 5 vendet e para në përfundim të garës. Triumfuesi final merr 5000 €, ndërsa çiklisti me rezultatet më të mira çdo ditë fiton 700 €

Për sa i përket klasifikimit ekipor, 500 euro i shkojnë në llogari ekipit më të mirë çdo ditë, ndërsa skuadra fituese e klasifikimit përfundimtar fiton edhe 5000 euro, ndërkohë që çmime ka deri te skuadra e vendit i pestë.

Gjithashtu, do të ketë çmime për sprintet e ndërmjetme, interxhirot, shkëputjet më të gjata dhe për çiklistët më luftarakë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb