TIRANE- Në kuadër të Festës së 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ishte e pranishme në aktivitetin e organizuar me këtë rast me fëmijët e ushtarakëve. Në takim më 70 fëmijët pjesëmarrës në këtë koncert, ministri Kodheli u shpreh se dita e sotme duhet të shërbejë si ditë reflektimi për të gjithë.

“Të dashur prindër! Ju drejtohem juve prindërve dhe pse është festa e fëmijëve, pasi sot është një ditë reflektimi për të gjithë ne prindërit se si ta bëjmë jetën e fëmijëve më të bukur, më të gëzuar, më të qetë, më të begatë, më të shëndetshme. Fëmijët duan të gëzojnë pa dhunë dhe me sa më shumë dashuri. Fëmijët duhet ta kenë çdo ditë 1 Qershor. Kjo nuk është e thjeshtë, por dhe jo e pamundur. Një shoqe më shkruante në facebook se një lule bën kopshtin tim, një mik bën gjithë botën. Mjafton një fëmijë për të realizuar të ardhmen”, tha Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes u ndal dhe vizitoi ekspozitën me piktura dhe punime të 100 autorëve fëmijë të ushtarakëve, të cilat ishin ekspozuar në rreth 30 stenda me rreth 250 piktura të ndryshme. Kodheli u shpreh se, këtu, në këto piktura, shoh shumë piktura të mira, gjë që tregon se shumë prej fëmijëve do të kenë të ardhme në këtë gjini të arti.

Ministrja Kodheli takoi dhe përqafoi shumë nga fëmijët e pranishëm dhe së bashku me personalitet që e shoqëronin ndoqi nga afër në palestrën e Akademisë së Forcave të Armatosura disa demonstrime sportive nga grupi i fëmijëve të ushtarakëve që ndjekin kurset sportive. Nga ana tjetër, Kodheli i uroi fëmijët për të vazhduar trajnimet sportive, pasi sporti, tha ajo, të jep gjallëri, forcë dhe mendim.

Në këtë aktivitet ishte e pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, drejtorë dhe ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, prindër dhe të afërm të fëmijëve. Aktiviteti ishte konceptuar mbi bazën e një skenari tre planësh: ekspozitë pikture, koncert me këngë dhe recitime dhe aktivitete sportive nga fëmijët e ushtarakëve që ndjekin kurset përkatëse në Qendrën e Kulturës të FA.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: