Një vit pas mbylljes së Muzeut Historik kombëtar, Neës 24 hyn në ambientet e brendshme, ku punimet që po bëhen e kanë zhveshur godinën jo vetëm nga artefaktet por edhe nga suvatimi. Në një intervistë me drejtoreshën e sapoemëruar të Muzeut Kombëtar, Elenita Roshi, zbardhen detaje nga projekti i rikonstruksionit dhe rikonceptimit që pritet të zgjasë edhe 3 vite të tjera.

“Muzeu ka dalë në skeletin e tij, ju jeni duke parë punimet në përforcimin e strukturës, që bëhet me një teknologji, që përforcon strukturat lidhëse me fibra karboni. Projekti, me financim të BE përmes Eu4Culture, është në zbatim që nga viti 2024 dhe zgjat 13 muaj. Por ndërhyrja nuk ka vetëm pjesën fizike, ka edhe rikonceptimin e përafrimin e përvojës së vizitorit që të ketë ndërveprim e dialog”, thotë Roshi.

Ndërsa projekti i nisur ka kërkuar zhvendosjen e të gjithë objekteve, në këtë intervistë merr përgjigje edhe pyetja, kur ruhen ato.

“Artefaktet ruhen në katet e nëndheshme të muzeut. Është bërë çdo gjë për plotësuar kushtet dhe për të krijuar një mjedis për koleksionin me rreth 7000 objekte, nga të cilat, 3100 ishin të ekspozuara dhe pjesa tjetër në fonde”, thotë Roshi.

Drejtoresha sqaron se “të gjitha objektet janë të kataloguara dhe kemi edhe një botim për to, ku shihet edhe procesi i paketimit të tyre me kushte mbrojtëse. Kjo është bërë duke marrë ekspertizën e programit të “BE për Kulturën” dhe ndërkohë një pjesë e stafit do të jetë gjithnjë këtu që të kontrollojë, kushtet e ruajtjes së koleksionit. Këtu është e rëndësishme të themi që ka sistem ruajtje e vëzhgimi 24 orë dhe bëjmë kontrolle për lagështinë, e cilësinë e ajrit”, tha Roshi.

Gjatë kohës që muzeu do të jetë i mbyllur, aktivitetet do të mbahen në shesh ose në shkolla, për të krijuar një program edukativ për brezin e ri që nuk do të mundet ta vizitojë atë fizikisht.

Sipas drejtoreshës së muzeut, rikonceptimi i muzeut do të shtojë edhe hapësira. “Do të kemi më shumë sipërfaqe për eksponatet; nga 8100 do të kemi mbi 9200, nga 10 pavijone në 12 pavijone, ndërsa një kat përdhes që do shtohet, do të ketë hapësirë për laborator restaurimi. Në katin e nëndheshëm do të jetë edhe arkiva e muzeut. Rikonceptimi do të ketë qasje tematike por edhe hapësira me ekspozita të përhershëm që do të mund të vizitohen falas në çdo orë të ditës a të natës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb