Napoli po kalon një moment fantastik, ku mes Serie A dhe Champions, përballë Bologna-s siguruan fitoren e dhjetë radhazi, shifra të jashtëzakonshme. Blutë e Spallettit dhuruan show në Maradona, prodhuan një futboll të hapur, shumë raste për shënim, ndërsa Bologna shënoi dy gola në tre raste që krijojë.

Juan Jesus, Lozano dhe Victor Osimhen shënuan për Napolin duke i dhuruar një tre pikësh që i mban të vetëm në krye të Serie A në kuotën e 26 pikëve, 2 më shumë se Atalanta.

Në javën e 10-të të Serie A, një fitore shumë të rëndësishme siguroi edhe Inter. Zikaltërit mposhtën Salernitana-n me rezultatin e pastër 2-0. Lautaro Martinez dhe Barella realizuan nga një gol për çdo pjesë.

Në barazim 0-0 u ndal këtë javë Lazio në sfidën përballë Udineses. Më shumë se sa pikët e lëna, në shtëpinë e Lazio-s shqetësohen për gjendjen e Ciro Immobiles me “bomberin” që doli nga fusha në minutën e 29-të pas një problemi në bicepsin femoral.

Më herët një fitore jetike siguroi edhe Juventus duke mposhtur Torinon në derbi. Goli tre pikësh për “Zonjën e Vjetër” e realizoi Dusan Vlahovic.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb