Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur një shpërblim 10 milionë dollarë për gjetjen e hakerëve të cilët në muajin maj kryen sulmin kibernetik ndaj ”Colonial Pipeline”, kompanisë së tubacioneve të naftës që furnizon me karburant pjesën lindore të SHBA-së.

“Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur një shpërblim 10 milionë dollarë për informacionet lidhur me përcaktimin e pozicionit ose të identitetit të çdokujt që ka pozicion lideri kyç në grupin ndërkombëtar të krimit të organizuar për variantin e softuerit piraterik DarkSide”, thuhet në deklaratën me shkrim nga departamenti.

Gjithashtu theksohet se departamenti ka vendosur një shpërblim pesë milionë dollarë për informacionet që do të ofrojnë mundësi për arrestimin e çdo personi që përpiqet të marrë pjesë ose që planifikon pjesëmarrjen në programin hakerues variant të DarkSide në çdo vend.

Grupi i programit hakerues DarkSide, mbahet përgjegjës për sulmin kibernetik të kryer në muajin maj 2021 kundër kompanisë së tubacioneve të naftës Colonial Pipeline.

Sulmi në fjalë shkaktoi mbylljen e përkohshme dhe probleme në furnizimin me karburant në linjën e tubacionit prej 5 500 miljesh që transporton 45 për qind të karburantit që përdoret në pjesën lindore të SHBA-së.

CEO i Colonial Pipeline në një deklaratë për Wall Street Journal kishte pranuar se u kanë paguar 4,4 milionë dollarë në bitcoin hakerëve për shpëtimin e të dhënave kibernetike të kompanisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb