TIRANE – Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua sot ceremonia me rastin e dorëzimit nga Republika e Turqisë të 10 minibusëve për Forcat tona të Armatosura. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm: ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Republikës së Turqisë ne vendin tonë, Hidayet Bayraktar, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së.
Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli në fjalën e saj theksoi se këto automjete janë pjesa e parë e një pakete të konsiderueshme mjetesh transporti, të cilat do të vihen në dispozicion të Forcave të Armatosura gjatë vitit 2015.
“Po rikthejmë gradualisht dinjitetin e njerëzve në uniformë. Edhe transporti për në vendin e punës është pjesë e respektimit të sakrificës që ju të nderuar ushtarake bëni ço ditë”, – është shprehur ministrja Kodheli.
Një falënderim të veçantë ministrja Kodheli bëri për drejtuesit e mjeteve që i sollën nga Turqia në Tiranë gjatë këtyre ditëve vërtet të ftohta dhe problematike për rrugët e Ballkanit. Njëkohësisht, ajo falënderoi qeverinë dhe Forcat e Armatosura të Turqisë për mbështetjen e pakursyer ofruar deri më tani, sidomos në kuadër të trajnimeve, edukimit apo edhe pajisjeve, ndërkohë që siguroi që ne do t’i përligjim më së miri këto investime dhe do të vijojmë më tej bashkëpunimin në të ardhmen.
Të pranishmit në ceremoni i përshëndeti edhe ambasadori i Turqisë, Hidayet Bayraktar, i cili, ndër të tjera, theksoi se, Turqia e konsideron Shqipërinë një ndër vendet më të rëndësishëm në Ballkan dhe me mjaft influencë në stabilitetin e rajonit. Për këtë arsye, u shpreh ai, modernizimi i FA Shqiptare është një ndër prioritetet kryesore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Më pas, ministrja Kodheli e shoqëruar nga gjeneralmajor Bazo dhe ambasadori Bayraktar vizituan nga afër minibusët e dhuruara nga Republika e Turqisë për FA Shqiptare.
Janë 10 minibusa të prodhuar nga kompania e njohur e prodhimeve ushtarake të Turqisë, “OTOKAR”, të cilat do të shërbejnë për transportimin e ushtarakëve në njësitë dhe repartet e tyre. Këto minibusë janë pjesa e parë e një pakete të konsiderueshme mjetesh transporti, të cilat do të vihen në dispozicion të Forcave të Armatosura gjatë vitit 2015.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: