Nga: ORNELA MANJANI*TIRANE-Personat që disponojnë tokë në bregdet përfitojnë 10% zbritje të vlerës së truallit në rast se paguajnë faturën brenda një muaji dhe do të penalizohen me 10% të çmimit total të truallit ose pjesës takuese, për çdo muaj vonesë.

Këto janë dy ndryshimet thelbësore në vendimin nr.310, datë 5.5.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën dhe llogaritjen e afateve të pagimit të çmimit të truallit, për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”. Vendimi i ndryshuar është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi sot. Sipas VKM-së nr.475, datë 3.6.2015, mësohet se çmimi i truallit së njësisë së ndërtuar apo vlera e pjesës takuese paguhet në mënyrë të vetme, duke u reduktuar në masën 10 për qind, nëse pagesa kryhet brenda një muaji, nga njoftimi me shkrim, në përputhje me përcaktimet e pikës 1, të nenit 14, të ligjit nr.10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, të ndryshuar.

Gjithashtu, qeveria ka ndryshuar edhe mënyrën e pagesës së truallit. Kështu, nëse pagesa e plotë apo e pjesës takuese të çmimit të truallit nuk kryhet brenda afatit të parashikuar në pikën 2, i cili parashikon pagesën e plotë apo të pjesës takuese të çmimit të truallit të njësisë së ndërtuar nga subjekti i interesuar ose personi i stimuluar bëhet brenda 6 muajve nga data e marrjes së njoftimit të këtij vendimi, mbi vlerën e detyrimit llogaritet penalitet në masën 10 për qind të çmimit total të truallit ose pjesës takuese, për çdo muaj vonesë, me kusht që masa e penalitetit të mos e kalojë këtë çmim, apo vlerën e pjesës takuese.

Çmimi
Çmimi i truallit të njësisë së ndërtuar brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës. Shlyerja e çmimit të truallit nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), në të cilin është përcaktuar vlera e çmimit që do të paguhet.

Sipas ligjit për pronësinë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin çmimi i truallit që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar është në raport me sipërfaqen e truallit, në funksion të njësisë së ndërtuar që ai gëzon. Kur trualli i shitet subjektit të interesuar, çmimi paguhet prej tij në masën 80 për qind të vlerës së truallit, ndërsa 20 për qind e kësaj vlere paguhet nga personi i stimuluar.

Ndërkohë që, subjekti i interesuar ose personi i stimuluar dorëzon dokumentacionin financiar që vërteton kryerjen e pagesës, pranë ALUIZNI-t, i cili e administron atë në dosjen përkatëse të subjektit. Ndërsa kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar ka paguar të gjithë vlerën e çmimit të truallit apo pjesën takuese të tij, vijohet me lidhjen e kontratës së kalimit të së drejtës së pronësisë mbi truallin. Në ligj parashikohet që, për njësitë e ndërtuara që gëzohen nga dy ose më shumë subjekte të interesuara/persona të stimuluar, në rastet kur njëri prej tyre ka paguar pjesën takuese të çmimit të truallit brenda afatit të përcaktuar, ky i fundit ka të drejtë të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë, pavarësisht nëse bashkëpronari tjetër nuk ka paguar pjesën e tij, takuese, të çmimit të truallit.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: