Shënohen sot 10 vjet nga nisja e krizës financiare botërore që ndryshoi këndvështrimin rreth ekonomisë dhe financave. Ishte 15 shtatori i vitit 2008 kur një prej institucioneve kryesore financiare “Lehman Brothers”, shpalli falimentin, duke nxitur një krize financiare edhe më të rëndë se ajo e depresionit të madh të vitit 1929-1930.

Një dekadë më vonë, rënia e “Lehman Brothers” dhe recesioni global që pasoi, vazhdojnë të ndikojnë gjithçka që nga politika e deri tek situata sociale.

Ajo që fillimisht ishte një krizë financiare, u shndërrua në një krizë bankare dhe një krizë borxhi, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonomi. Edhe pse kriza ekonomike e pati zanafillën në Shtetet e Bashkuara, ky vend ishte i pari që e tejkaloi situatën e vështirë dhe sot niveli i papunësisë ka shënuar rënie të ndjeshme, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Europën, e cila vijon të vuajë pasojat, veçanërisht Greqia, e cila vetëm në muajin gusht njoftoi se e kishte kaluar krizën pas një sërë masash të forta ekonomike nxitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ndikimi më i dukshëm politik i krizës financiare ishte humbja e besimit tek i ashtuquajturi establishment apo politika tradicionale. Zemërimi ndaj paketave të kursimit i “hapi derën” politikave më radikale të forcave të së djathtës dhe të majtës ekstreme.

Premtimi i Trump për “ta tharë moçalishten” bëri që votuesit të tej ngopen me ndikimin e “Wall Street” në politikat e Washngtonit, duke i dhënë besimin një biznesmeni i cili gjatë fushatës doli përtej kornizës duke thënë gjerat që njerëzit e dëshpëruar duan të dëgjojnë.

Në Europë situata mjaft e rëndë financiare që goditi kryesisht shtresën e mesme, bëri që në pushtet të vijnë forcat ekstreme. Pasojat sociale gjithashtu ishin të mëdha. Gjatë kësaj dekade që prej nisjes së recesionit, numri i lindjeve ra në mënyrë të ndjeshme, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë.

Njerëzit vendosën që të krijonin familje më të vogla për të shmangur rreziqet ekonomike edhe pse demografët kanë lëshuar alarmin se hendeku po zgjerohet në mënyrë të ndjeshme duke bërë që numri i pensionistëve të bëhet më i madh. Kriza financiare gjithashtu ka dëmtuar besimin tek njëri-tjetri. Sipas një studimi vetëm 19 përqind e të anketuarve bien dakord me shprehjen se në përgjithësi, shumica e njerëzve mund të besohen krahasuar me 31 përqind që e besonin këtë shprehje përpara nisjes së recesionit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb