TIRANË- Komisioni i Shëndetësisë është “vënë sot në lëvizje” për rastin e 10-vjeçarit me trombozë, familjarët e të cilit kanë kërkuar publikisht ndihmë për t’i ardhur në ndihmë. Deputetët Klodiana Spahiu, Arbjola Halimi, dhe Erjeta Alhysa janë takuar me zv.ministren e Shëndetësisë Milva Ekonomi.

Në fjalën e saj, Zv.ministrja premtoi së Ministria e Shëndetësisë do të bëjë gjithçka është e mundur për të shpëtuar 10-vjeçarin, ndërsa ka konfirmuar se Turqia ka refuzuar rastin.

“Ne do të bëjmë të pamundurën për të shpëtuar 10-vjeçarin. Turqia është opsion i pamundur pas refuzimit të ardhur, dhe ne do shqyrtojmë çdo mundësi me spitalet në Itali. Do këtë bashkëpunim me donatorët dhe qeverinë, pasi synimi ynë është që të shpëtojmë jetën e Kristit”, tha zv.ministrja Ekonomi.

Deputetja Arbjola Halimi theksoi se të gjithë së bashku, duhet të angazhohen për të ndihmuar Kristin e vogël.

“Të enjten në parlament do të lobojmë për fonde edhe nga vetë deputetët”, tha Arbjola Halimi.

RASTI I KRISTI MAZES, DEPUTETËT E PD: T’I KËRKOHET NDIHMË AMBASADËS TURKE!
Rasti i vogëlushit Kristi Maze, i cili rrezikon jetën nëse nuk bën transplantin e mëlçisë është diskutuar sot edhe në Komisionin e Shëndetësisë.
Deputetët e Partisë Demokratike, kanë kërkuar që t’i jepet ndihmë dhe t’i kërkohet ambasadës turke ta ndihmojë. “Kristi Maze duhet të shkojë sa më shpejt në Turqi. Situata finaciare e familjes Maze është kritike”,- theksoi deputetja Halimi.

Historia e dhimbshme e 10 vjeçarit Kristi Maze nga Pogradeci nisi në tetor të vitit 2014. Pas një përkeqësimi të menjëhershëm të shëndetit, prindërit e sollën me urgjencë fëmijën në pediatrinë e QSUT ku dhe u diagnostikua me trombozë në mëlçi në stad të agravuar. Që në kontaktin e parë me pacientin mjekët dhanë alarmin duke i kërkuar ministrisë që fëmija të dërgohej me urgjencë jashtë vendit dhe ti nënshtrohej një transplanti të plotë ose të pjesshëm të heparit.

Pavarësisht publikimit të përsëritur të rastit në News 24 dhe BalkanWeb masa e vetme që ndërmori Ministria e Shëndetësisë ishte dërgesa e një kërkese përmes email-it drejtuar spitaleve turke me të cilat ka të lidhur marrëveshje bashkëpunimi. Pas kësaj pasoi një vit heshtje dhe vetëm tani kur fëmija numëron ditët i gozhduar në pavijonin e Pediatrisë në katin e katërt të QSUT, prindërit e Kristit janë njohur me përgjigjen negative të mbërritur nga spitalet turke, përgjigje që sipas tyre iu është komunikuar me një vit vonesë nga drejtoria përgjegjëse në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sikundër dëshmojnë pamjet rrëqethëse të filmuara në mënyrë amatore në dhomën e fëmijës së sëmurë, trupi i dhjetë vjeçarit është fryrë në pjesën e barkut, ndërsa në fytyrë duket i tretur krahasuar me një vit më pare. Mjekët thonë se kanë bërë gjithçka munden dhe se është mrekulli që fëmija vazhdon të jetë gjallë, por jo dhe për shumë ditë nëse nuk i nënshtrohet urgjentisht transplantit të mëlçisë.

(ma.ar/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb