Botohet letra publike ndaj delegatëve të Konventës Themelore për Kontrollin e Duhanit

100 ekspertë globalë të shkencës, politikave dhe praktikave të nikotinës u mblodhën për t’u bërë thirrje 182 shteteve në Konventën Themelore për Kontrollin e Duhanit (FCTC) që të marrin një qëndrim më pozitiv ndaj reduktimit të dëmit të duhanit.

Ekspertët nga Zvicra, Kanadaja. SHBA, Koreja e Jugut, Tunizia, Ekuadori, Britania e Madhe, Spanja, Kili, Suedia, Filipinet, Singapori, Polonia, Italia, Ishujt Kanarie, Argjentina, Australia dhe Japonia, hartuan një letër me propozime konkrete ndaj politikave të OBSH.

Letra kundërshton qasjen e gabuar dhe të pabazuar në shkencë të OBSH -së për ndalimin ose shtrëngimin e masave si edhe taksimin e produkteve me avull, produkteve me ngrohje dhe produkteve pa tym, gjithashtu edhe produkteve të reja të nikotinës nga goja, siç janë qeskat e nikotinës.

Takimi i nëntë i Konferencës së Palëve të Konventës Themelore për Kontrollin e Duhanit (COP-9) do të mbahet online në datat 8-13 2021. Letra paraqet pika kyçe për palët e FCTC dhe më tej edhe 6 rekomandime. Disa nënshkrues kanë dhënë gjithashtu deklarata mbi letrën, ose mbi qasjen e OBSH -së ndaj reduktimit të dëmit të duhanit dhe inovacionit në këtë fushë.

Rekomandimet e eksperteve

Rekomandohet që Palët në FCTC të kenë një qasje më debatuese dhe kërkuese ndaj advokimit të OBSH-së në lidhje me alternativat pa tym dhe të ndërmarrin sa vijon:

  • Reduktimi i dëmit të bëhet pjesë e strategjisë globale për të përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm për shëndetin, veçanërisht SDG 3.4 për sëmundjet jo- ngjitëse.
  • Të këmbëngulet që çdo analizë e politikave të OBSH-së të bëjë një vlerësim të duhur të përfitimeve për njerëzit që pinë cigare ose ata që mund ta pinë, përfshirë adoleshentët, si edhe të risqeve për përdoruesit dhe jo-përdoruesit e këtyre produkteve.
  • Të kërkohet që çdo politikë e propozuar, veçanërisht ndalimi, të pasqyrojë risqet për pasoja të padëshiruara, përfshirë shtimin e mundshëm të pirjes së cigares dhe të tjera pasojave negative.
  • Të zbatohet siç duhet Nenin 5.3 të FCTC për të trajtuar keqpërdorimet e vërteta të industrisë së duhanit, por jo për të krijuar një pengesë kundërproduktive për produktet me risk të reduktuar që kanë përfitime për shëndetin publik ose për të parandaluar vlerësimin kritik të të dhënave të industrisë në mënyrë të veçantë mbi meritat e saj shkencore.
  • Negociatat e FCTC të bëhen më të hapura për palët e interesuara për perspektivat e reduktimit të dëmit, përfshirë konsumatorët, ekspertët e shëndetit publik dhe disa biznese me njohuri të rëndësishme të specializuara, që nuk përfshihen brenda komunitetit tradicional të kontrollit të duhanit.

 

Më poshtë, letra e plotë e 100 ekspertëve për OBSH-në:

Krerëve të Delegacionit

Palëve në Konventën Themelore për Kontrollin e Duhanit

Konferenca e Nëntë e Palëve, 8-13 Nëntor 2021

18 tetor 2021

I nderuar zotëri apo zonjë,

Nevojë urgjente për të reduktuar vdekshmërinë nga cigaret me djegie: palët duhet të sfidojnë OBSH –në që të modernizojë qasjen e saj ndaj politikave të kontrollit të duhanit

Ne jemi ekspertë të pavarur në shkencën dhe politikat për duhanin dhe nikotinën. Shkruajmë për t’i nxitur Palët në FCTC që të inkurajojnë OBSH –në që të mbështesë dhe të promovojë përfshirjen e reduktimit të dëmit të duhanit në Konventën Themelore për Kontrollin e Duhanit.

Gjatë dekadës së fundit, inovacioni në tregun e duhanit dhe nikotinës ka bërë që tani të ketë shumë produkte nikotine që nuk përfshijnë djegien e gjetheve të duhanit dhe thithjen e tymit. Këto produkte pa tym përfshijnë produkte me avull, qeska për përcjelljen e nikotinës nga goja, produkte me ngrohje si edhe produkte të duhanit pa tym me nitrosamine të ulët, siç është snus-i. Cigaret dhe produktet e tjera me tym janë përgjegjëse për shumicën dërrmuese të vdekjeve të shkaktuara nga përdorimi i duhanit në nivel global. Produktet e nikotinës pa tym premtojnë hapjen e rrugës drejt reduktimit të dëmit që vjen nga pirja e cigares. Ekzistojnë dëshmi bindëse që produktet pa tym janë shumë më pak të dëmshme sesa cigaret dhe se ato mund të zëvendësojnë pirjen e cigares për individë dhe në nivel popullsie.

Jemi të ndërgjegjshëm se ka paqartësi në lidhje me përfitimet dhe risqet që lidhen me produktet në zhvillim të duhanit pa djegie në një afat më të gjatë dhe gjithashtu jemi të ndërgjegjshëm se ekziston një vazhdimësi e riskut në këto produkte. Jemi gjithashtu të kujdesshëm në lidhje me përfshirjen e industrisë së duhanit. Sidoqoftë, gjithashtu duhet të marrim parasysh provat domethënëse që ekzistojnë dhe të mos lejojmë që kujdesi i tepërt dhe pasiguria t’u mohojnë njerëzve që pine cigare mundësinë që u ofrojnë alternativat premtuese për t’i larguar prej produkteve me djegie për të cilat dihet me siguri që janë vdekjeprurëse.

Për fat të keq, OBSH ka hedhur poshtë potencialin për të transformuar tregun e duhanit nga produkte me risk të lartë në produkte me risk të ulët. OBSH po refuzon një strategji të shëndetit publik që mund të shmangë miliona vdekje që lidhen me pirjen e cigares. Ju ftojmë të mbani parasysh shtatë pikat e mëposhtme dhe më pas rekomandimet tona.

  1. Reduktimi i dëmit të duhanit paraqet mundësi domethënëse për shëndetin publik

Pesëmbëdhjetë presidentë të mëparshëm të shoqërisë më të rëndësishme akademike profesionale në këtë fushë, Shoqëria për Kërkimin mbi Nikotinën dhe Duhanin (SRNT), kanë shkruar një ese shkencore duke argumentuar një ribalancim në politikat e duhanit për të shfrytëzuar mundësitë nga produktet me risk të reduktuar. Autorët, disa nga ekspertët më të besueshëm në nivel global, adresojnë shumë keqkuptime në lidhje me risqet për shëndetin, efektin e urës, përdorimin tek të rinjtë dhe varësinë. Eseja arrin në këtë përfundim:

“Ndërsa dëshmitë sugjerojnë se produktet me avull në fakt po nxisin lënien e cigareve, ndikimi mund të jetë shumë më i madh nëse komuniteti i shëndetit publik i kushton vëmendje serioze potencialit të këtyre produkteve për të ndihmuar të rriturit që pinë cigare, nëse të rriturve u jepet informacioni i duhur për risqet e cigareve në krahasim me produktet pa tym dhe nëse hartohen politika që mbajnë parasysh ndikimin që do të kenë tek të rriturit që pinë cigare. Kjo nuk po ndodh.”

Kjo nuk po ndodh me OBSH. Kjo duhet të ndryshojë, nëse është e nevojshme, përmes udhëheqjes së Palëve në rast se OBSH mbetet e gatshme apo edhe e paaftë për të kryer këtë rol.

  1. Cigaret elektronike janë një nxitës i lënies së cigareve

Që nga COP-8, është shtuar numri i dëshmive shkencore që mbështesin rolin që luajnë cigaret elektronike në reduktimin e numrit të njerëzve që pinë cigare. Në veçanti, “Cochrane Review”, që siguron një sintezë të njohur botërisht të provave nga teste klinike, që në shtator 2021 nxori këtë përfundim: (shiko këtu)

“Cigaret elektronike me nikotinë mund t’i ndihmojnë njerëzit të lënë cigaren për të paktën gjashtë muaj. Ato mund të funksionojnë më mirë sesa terapia zëvendësuese e nikotinës dhe cigaret elektronike pa nikotinë. Ato mund të ndihmojnë lënien më shumë sesa përpjekiet pa mbështetje fare ose vetëm me mbështetje përmes metodave të sjelljes. Gjithashtu mund të mos shoqërohen me efekte serioze të padëshiruara.”

Provat nga testet klinike mbështeten nga studime vëzhguese, të dhëna mbi prirjet e popullsisë, të dhëna të tregut dhe dëshmitë e përdoruesve. Në tërësi, provat përbëjnë një rast bindës se alternativat pa tym mund ta zëvendësojnë pirjen e cigares. Rrjeti i Trajtimit të Duhanit të SRNT argumentoi kohët e fundit:

 

Strategjitë e përdorura për lënien e produkteve me djegie mund të përshtaten duke përfshirë produktet e reja dhe rekomandimet e trajtimit të çrregullimit të pirjes së cigares duhet të bëhen brenda kontekstit të reduktimit të dëmit, ku përdorimi i produktit alternativ mund të jetë rezultati i dëshiruar.

  1. Reduktimi i dëmit të duhanit mund të kontribuojë në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG)

Objektivat SDG 3.4 synojnë të reduktojnë vdekjet e parakohshme nga katër sëmundjet kryesore jo- ngjitëse (SKB) me një të tretën deri në vitin 2030 në krahasim me 2015-ën. Shumica e shteteve të botës janë shumë mbrapa me progresin e nevojshëm për të arritur objektivin. Mënyra e vetme që kontrolli i duhanit të bëjë një ndryshim thelbësor gjatë kësaj periudhe është nxitjae lënies së shpejtë të cigares.

Masat e shpejta të kontrollit të duhanit do të ishin ato që përziejnë forcën shtytëse të masave MPOWER me një përgjigje më të drejtpërdrejtë përmes metodave të sjelljes për shumicën e njerëzve që pinë cigare: kalimi nga cigarja në produkte pa tym. Një qasje e tillë siguron një reduktim të madh të riskut të sëmundjeve pa përpjekie të shtuara për të hequr dorë nga përdorimi i nikotinës. Modelimi i ndikimit të produkteve pa tym në sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e lidhur me pirjen e cigares tregon përfitime shumë të konsiderueshme për shëndetin publik.

  1. Përvoja dhe vlerësimet e institucioneve kryesore legjislative mbështesin produktet me ngrohje

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave kreu një vlerësim të gjerë të mbi dy milionë faqeve të provave për një produkt duhani me ngrohje të prodhuar nga një kompani e madhe duhani. FDA arriti në përfundimin se produkti është “i përshtatshëm për mbrojtjen e shëndetit publik” dhe zbuloi për publikun se ekspozimi dukshëm më i ulët i njerëzve ndaj toksikantëve është “i përshtatshëm për promovimin e shëndetit publik”. Është gjithashtu e qartë se rënia dramatike e pirjes së cigareve në Japoni pasoi prezantimin e produkteve me ngrohje në 2015-ën. Të dhënat e tregut tregojnë një rënie të paprecedente prej mbi 40 përqind të volumit të shitjes së cigareve në Japoni në periudhën 2015-2020. Megjithatë, këto gjetje domethënëse nuk pranohen nga OBSH në dokumentin e saj të fundit për COP-9 mbi produktet e reja të duhanit dhe ato në zhvillim. Duke shpërfillur potencialin e qartë të shëndetit publik, OBSH deklaroi:

“Legjislatorët nuk duhet të lejojnë që të shpërqendrohen nga taktikat e industrisë së duhanit dhe të tjerave që lidhen me të apo nga promovimi agresiv i këtyre produkteve.”

Më tej, sekretariati i Konventës ka argumentuar, gabimisht, se aerosoli i produktit me ngrohje duhet të klasifikohet si “tym duhani”. Një qasje e tillë nënvlerëson risqet e produkteve me djegie dhe mjegullon në mënyrë të papërshtatshme dallimin kritik midis produkteve me tym dhe atyre pa tym. Palët e FCTC nuk duhet të shpërqendrohen nga potenciali domethënës i produkteve me risk të reduktuar për shëndetin publik thjesht ngaqë ato prodhohen nga kompanitë e duhanit. Qasjet për reduktimin e dëmit përfshijnë në mënyrë të pashmangshme produktet e prodhuara nga njësitë tregtare që prodhojnë produkte nikotine të konsumit në konkurrencë me cigaret. Sfida për legjislatorët është të harmonizojnë stimujt e industrisë me imperativat e shëndetit publik për të reduktuar dëmin, një qasje e njohur si “ndërmarrje e masave në proporcion me riskun”.

  1. Politikëbërësit duhet të njohin pasojat e padëshiruara të politikave të propozuara

OBSH vazhdon të mbrojë ndalimin e alternativave me risk të reduktuar dhe të duartrokasë ato vende që i ndalojnë këto produkte. Përshembull, Dr. Harsh Vardhan-it, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies së Familjes në Indi, iu dha Çmimi Special i Mirënjohes nga Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, me citimin e mëposhtëm:

“Dr. Harsh Vardhan mori çmimin për drejtimin e legjislacionit të Qeverisë së Indisë për ndalimin e cigareve elektronike dhe produkteve me ngrohje në vitin 2019.”

Sidoqoftë, politikëbërësit duhet të marrin parasysh efektin e mundshëm të këtyre masave në jetën e vërtetë. Çfarë efekti do të ketë ai tek 100 milionë njerëzit që pinë cigare në Indi, të cilëve tani u mohohen alternativat më të sigurta? A do të thotë që të rinjtë të pinë cigare në vend të përdorimit të produkteve elektronike? A do të nxisë në mënyrë të konsiderueshme tregtinë e paligjshme? A do t’i shërbejë kryesisht interesave të industrisë së cigareve pjesërisht shtetërore të Indisë? Kolegji Mbretëror i Mjekëve (Londër) parashtroi sfidën e pasojave të padëshiruara në raportin e vitit 2016:

“Sidoqoftë, nëse kjo qasje gjithashtu i bën cigaret elektronike më pak të arritshme, më pak të shijshme ose të pranueshme, më të shtrenjta, më pak miqësore ndaj konsumatorit ose farmakologjikisht më pak efektive, ose pengon inovacionin dhe zhvillimin e produkteve të reja të përmirësuara, atëherë shkakton dëm duke nxitur vazhdimin e pirjes së cigareve. Gjetja e këtij ekuilibri është e vështirë.”

Në dokumentet për Konferencën e Palëve, OBSH-ja mbron në mënyrë të vazhdueshme ndalimin direkt të alternativave pa tym ose marrjen e masave dhe taksimin e produkteve pa tym njësoj si të ishin cigare. Asnjëra nuk shkon në të mirë të shëndetin publik. Rreziku i kësaj qasjeje është se ajo krijon një mbrojtje de facto  të tregtisë së cigareve dhe, për të cituar Kolegjin Mbretëror, do të shkaktonte dëme afatgjata duke përjetësuar cigaret. Po shfaqen dëshmi se përdorimi i alternativave elektronike krijon mundësi për zhvendosjen e pirjes së cigareve drejt alternativave me risk të reduktuar dhe se masat për të kontrolluar përdorimin e tyre mund të shkaktojnë rritje të numrit të njerëzve që pinë cigare. Përshembull, dëshmitë sugjerojnë se ndalimet e shijeve tek cigaret elektronike, rritja e taksave për produktet e avullimit, ndalimi i reklamave për cigaret elektronike dhe kufizimet e aksesit mund të rrisin numrin e njerëzve që pinë cigare. Masat tepër shtrënguese për alternativat pa tym do të favorizonin padrejtësisht kompanitë më të mëdha që i prodhojnë këto produkte, që janë kompanitë e duhanit. Kjo nuk është një thirrje për një treg të parregulluar, por për marrjen e masave proporcionale me riskun, të hartuara me kujdes dhe me ndërgjegjshmëri për se cilat mund të jenë risqet dhe pasojat e padëshiruara.

  1. Duhet të vendoset në kontekstin e duhur përdorimi i cigareve elektronike nga adoleshentët

Politikëbërësit me të drejtë janë të shqetësuar për rritjen e përdorimit të cigareve elektronike nga të rinjtë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, një analizë më e thellë amerikane e provave shkencore, e cila segmenton të dhënat sipas frekuencës së përdorimit të cigareve elektronike dhe përdorimit të mëparshëm të cigareve, është frytdhënëse dhe bindëse. Kjo analizë tregon se: 1) përdorimi i produkteve me avull tek adoleshentët është i rrallë, 2) përdorimi i shpeshtë dhe varësia nga nikotina në mesin e përdoruesve naivë të cigares është i rrallë dhe 3) përdorimi më i shpeshtë përqendrohet tek ata që kanë pirë cigare më parë. Pavarësisht shtimit të përdorimit të cigareve elektronike nga adoleshentët, nuk ka pasur një shtim të varësisë ndaj nikotinës. Shtetet e Bashkuara kanë parë një rënie jashtëzakonisht të shpejtë të pirjes së cigares mes adoleshentëve, që përkon me hyrjen e alternativës elektronike. Disa të rinj përdorin cigare elektronike për të lënë cigaren ose si një alternativë ndaj cigareve. Si rezultat, avullimi po zhvendos pirjen e cigareve tek të rinjtë dhe njerëzit që pinë cigare rregullisht. Megjithëse ka asocim pozitiv mes përdorimit të cigareve elektronike tek adoleshentët dhe pirjes së cigares, kjo nuk do të thotë se cigaret elektronike janë një urë kalimi drejt cigares.

Gjasat më të larta për këtë nxiten nga faktorë të zakonshëm të riskut: karakteristikat individuale në lidhje me ndërmarrjen e riskut ose rrethanat që i shtyjnë ata drejt përdorimit të cigareve elektronike apo pirjes së cigareve.

  1. Shëndeti publik e mbështet përfshirjen e reduktimit të dëmit në politikat e kontrollit të duhanit

Reduktimi i dëmit praktikohet në shumë fusha të shëndetit publik (për drogërat e paligjshme, për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, për HIV-in) dhe Konventa Themelore për Kontrollin e Duhanit (Neni 1d) gjithashtu e njeh reduktimin e dëmit si pjesë të kontrollit të duhanit. Për qindra miliona njerëz që luftojnë për të lënë cigaren ose duan të vazhdojnë të përdorin nikotinë, këto produkte përfaqësojnë një zgjedhje të shtuar për të shpëtuar nga mënyrat më vdekjeprurëse të përdorimit të nikotinës. Pirja e cigares përbën 98 përqind të peshës globale të vdekshmërisë nga duhani. Pjesa më e madhe e retorikës së OBSH –së e përcakton reduktimin e dëmit të duhanit si një strategji industrie për të cunguar kontrollin e duhanit. Por në këtë mënyrë, injorohet mbështetja e konsiderueshme e ekspertëve për reduktimin e dëmit të duhanit në fushat e shëndetit publik dhe të kontrollit të duhanit, si edhe përvojën e miliona njerëzve që kanë kaluar me sukses nga cigare në produkte me risk të reduktuar me efekt më të mirë në aspektin fizik, social dhe ekonomik.

Rekomandimet tona

Ne rekomandojmë që Palët në FCTC të kenë një qasje më debatuese dhe kërkuese ndaj avokimit të OBSH-së në lidhje me alternativat pa tym dhe të ndërmarrin sa vijon:

  • Reduktimi i dëmit të bëhet pjesë e strategjisë globale për të përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm për shëndetin, veçanërisht SDG 3.4 për sëmundjet jo- ngjitëse.
  • Të këmbëngulet që çdo analizë e politikave të OBSH-së të bëjë një vlerësim të duhur të përfitimeve për njerëzit që pinë cigare ose ata që mund ta pinë, përfshirë adoleshentët, si edhe të risqeve për përdoruesit dhe jo-përdoruesit e këtyre produkteve.
  • Të kërkohet që çdo politikë e propozuar, veçanërisht ndalimi, të pasqyrojë risqet për pasoja të padëshiruara, përfshirë shtimin e mundshëm të pirjes së cigares dhe të tjera pasojave negative.
  • Te zbatohet siç duhet Nenin 5.3 të FCTC për të trajtuar keqpërdorimet e vërteta të industrisë së duhanit, por jo për të krijuar një pengesë kundërproduktive për produktet me risk të reduktuar që kanë përfitime për shëndetin publik ose për të parandaluar vlerësimin kritik të të dhënave të industrisë në mënyrë të veçantë mbi meritat e saj shkencore.
  • Të bëhen më të hapura negociatat e FCTC për palët e interesuara për perspektivat e reduktimit të dëmit, përfshirë konsumatorët, ekspertët e shëndetit publik dhe disa biznese me njohuri të rëndësishme të specializuara që nuk përfshihen brenda komunitetit tradicional të kontrollit të duhanit.
  • Të fillojë një rishikim i pavarur ndaj OBSH -së dhe qasjes së FCTC ndaj politikës së duhanit në kontekstin e SDG -ve. Ky rishikim mund të trajtojë interpretimin dhe përdorimin e shkencës, cilësinë e këshillave të politikave, angazhimin e palëve të interesuara, llogaridhënien dhe qeverisjen. Paneli i Pavarur për Gatishmërinë dhe Përgjigjen Pandemike (IPPPR), i ngritur për të vlerësuar përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19, ofron një model të tillë.

Ne besojmë se është koha që politika globale e duhanit të shfrytëzojë potencialin e plotë të reduktimit të dëmit të duhanit. Shpresojmë që shkencat e shëndetit publik, politikat dhe komunitetet praktikuese do të konvergojnë në një qëllim të përbashkët për të përmbushur SDG-të dhe për të zvogëluar barrën globale të sëmundjeve të lidhura me pirjen e cigares dhe vdekshmërinë e parakohshme sa më shpejt dhe thellësisht të jetë e mundur.

Ne do ta ndajmë këtë letër me aktorët përkatës.

Nënshkruesit e kësaj letre nuk raportojnë konflikte interesi në lidhje me industrinë e duhanit dhe asnjë çështje që mund të dalë sipas nenit 5.3 të Konventës Themelore për Kontrollin e Duhanit.

Tuajt sinqerisht,

100 nënshkruesit

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb