PRESPE- Fshati Pustec në zonën e Prespës në Korçë është pjesë e projektit të qeverisë “100 fshatrat”. Gjatë një takimi me banorë të zonës, kryeministri Rama tha se në Pustec po hapet rruga e një transformimi shumë të rëndësishëm, që do të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë. Teksa ndal tek investimet në këtë fshat, Rama i ftoi banorët e Pustecit që të bëhen pjesë e projektit, duke hapur bujtina për të pritur turistë.

“E zhvillojmë këtu këtë takim, në një zonë të mrekullueshme, ku sapo ka filluar një proces transformimi me këtë qendër, e cila sot shërben vetëm si një shenjë e parë domethënëse e asaj që ne duam të bëjmë, duke shtrirë tanimë krahët e ambicies sonë përtej ndërhyrjeve thjesht urbanistike, apo infrastrukturore”, tha Rama.

Kryeministri theksoi faktin se si me ndërhyrje në dukje minimaliste, por shumë domethënëse, nga pikëpamja e energjisë që krijojnë, mund të hapet rruga e një transformimi shumë të rëndësishëm në Pustec.

Rama i ftoi emigrantët shqiptarë që të kthejnë sytë nga fshati, si një mënyrë shumëfishimi e të ardhurave të tyre.

“Ashtu sikundër kjo është një iniciativë, e cila nga natyra e vet dhe nga natyra e emigracionit në të gjitha zonat për të cilat prek programi, është e krijuar si me dorë për emigrantët, që kursimet e tyre t’’i investojnë në shtëpitë e tyre që kanë lënë, t’i investojnë në tokat që kanë lënë, për të ndërtuar një agroturizëm duke filluar nga një bujtinë e vogël, te një agroturizëm më i madh dhe për t’i kthyer kursimet në një investim që do të sjelli për ta siç sjell puna e përditshme që shumëkush e bën sot në Greqi, Itali apo në një vend tjetër në emigracion”, përfundoi Rama.

Banka gjermane për Zhvillimin, si një partnere e qëndrueshme në zonat e mbrojtura ka ofruar 3.5 milionë euro për zhvillimin e zonës së Prespës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb