TIRANE- Në 105-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura, Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar si pozitive nismën e qeverisë për të rritur buxhetin e mbrojtjes.

Në një ceremoni të organizuar sot në Sheshin “Nënë Tereza”, presidenti Ilir Meta u shpreh se kjo është një datë historike dhe lavdie për FA.

“Prej disa vitesh jemi në NATO dhe për shkak të kësaj Aleance, sot jemi një vend jo vetëm ruajtës të paqes në rajon, por dhe kontribues për paqen në botë. Kjo na jep forca për të përballuar dhe sfidat madhore që kemi përpara”, tha Meta.

Ai shprehu vlerësim maksimal për punën e bërë nga FA, teksa shtoi se mbështet shtimin e buxhetit për mbrojtjen.

“Dëshiroj të nënvizoi edhe njëherë vlerësimin maksimal të burrave e grave të FA që kanë dhënë edhe jetën për vendin dhe që vijojnë të sakrifikojnë gjithçka për të realizuar me sukses misionin e tyre, siç dëshmuan edhe në ditët e fundit, ku përballuan përmbytjet në disa zona të vendit. Po ashtu përshëndesim dhe trupat e FA të cilët janë në Bosnje, Mali, Kosovë, Afganistan dhe kudo në botë si pjesë e misionit të NATO. Sot dëshirojë të shpreh falenderime për vendet aleate dhe mike, që ndihmuan FA-të me ekspertizë e edukim ushtarak sipas standardeve më të mira, duke ndihmuar dhe në armatim modern. Rritja e buxhetit për mbrojtjen dhe objektivat madhore të FA do të kenë mbështetjen time maksimale dhe të pakursyer. Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për atdheun dhe vlerësim maksimal për ata që kontribuojnë sot për FA”, tha presidenti Meta.
meta xhacka kollcaku

Xhaçka: FA ushtri e gjithanshme
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në fjalën e saj, tha se Forcat e Armatosura tashmë janë një trupë ushtarake e gjithanshme.

“Në emër të qeverisë shqiptare jam e nderuar t’ju përcjellë urimet më të sinqerta grave e burrave të FA për 105 vjetorin e krijimit të saj. Shqipëria ka pasur si pjesë identitare të tij që në ditët e para të jetës së shtetit, FA-në. Historia e shtetit shqiptar është histori mbijetese. FA ka qenë gjithnjë pranë qytetarëve të këtij vendi”, tha Xhaçka.

“Rrugëtimi i FA nis me fundin e luftërave ballkanike për të vijuar me luftërat botërore, por dhe me luftën e ftohtë sikurse edhe gjatë regjimit të kaluar për t’u bërë më pas pjesë e NATO-së në vitin 2009. Tashmë FA është ushtri gjithanshme, tokësore, ujore, me mjete ushtarake të dorës së fundit dhe e modernizuar në saj dhe të politikave mbështetëse të NATO-s”, shtoi ajo.

“Ky ndryshim nuk ka ardhur në një ditë, por si rrjedhojë e një rruge të gjatë e të mundimshme. Qeveria shqiptare është e nderuar të jetë në krah të kësaj ushtrie që misionin e saj e ka në të gjithë rruzullin si pjesë e NATO-s në Mali, Afganistan etj. Sot FA-të janë në gatishmëri të plotë për të qenë pranë banorëve siç dëshmuam këto ditë të fundit ku për shkak të përmbytjeve shumë familje rrezikuan, por FA ishte aty për t’i ndihmuar. Historia është në krahun tuaj”, tha ministrja Olta Xhaçka.

FJALA E PLOTE E PRESIDENTIT META
E nderuar Ministre e Mbrojtjes, Znj. Xhaçka,
I nderuar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Kollçaku
Shkëlqesi Ambasadorë, të nderuar Gjeneralë dhe Atashe ushtarakë,
Të nderuar ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,
Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Dëshiroj të falënderoj Ministren e Mbrojtjes për organizimin e kësaj ceremonie dinjitoze me rastin e 105-Vjetorit të themelimit të Forcave tona të Armatosura.

Kjo është një datë historike dhe lavdie për Forcat tona të Armatosura, ashtu sikurse është një gur i fortë themeli në historinë tonë të shtet-formimit.

Prej disa vitesh ne jemi anëtarë të NATO-s. Në udhëtimin drejt anëtarësimit tonë në Aleancë ne ja dolëm ta transformojmë Shqipërinë nga një vend konsumues në vend kontribues për paqen dhe sigurinë, veçanërisht në rajon, por jo vetëm.

Kjo arritje na bën krenarë me vlera mbarëkombëtare na bën krenarë e njëkohësisht të përgjegjshëm për sfidat që kemi përpara.

Në këtë përvjetor të shënuar historik ne nderojmë me respektin më të madh të gjithë patriotët që kontribuan për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare që nga data e themelimit të saj dhe në mënyrë të veçantë, Heronjtë dhe Dëshmorët e Atdheut, që për pavarësinë, lirinë dhe nderin e flamurit kombëtar kanë bërë sakrificën më sublime, duke dhënë jetën.

Si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dëshiroj të nënvizoj edhe njëherë konsideratat më të larta për gratë dhe burrat nën uniformë, që gjatë 105 viteve kanë kontribuar apo vazhdojnë të shërbejnë me përkushtim shembullor, sakrifica të panumërta dhe përulësi fisnike për sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e vendit dhe interesat tona kombëtare.

Forcat tona të Armatosura treguan edhe një herë, gjatë situatës së fundit të përmbytjeve në vend, se roli i tyre pranë dhe në shërbim të komuniteteve e qytetarëve, duke garantuar jetën e tyre dhe pronën privatë e publike, është jo vetëm i pazëvendësueshëm por që kërkon respekt, konsideratë, mirënjohje të veçantë dhe kujdes në rritje.
ushtare

Një mirënjohje të veçantë dëshiroj t’ju përcjell ushtarakëve tanë që aktualisht kontribuojnë krah për krah vendeve aleate, në misionet ndërkombëtare në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Kosove, Bosnje Hercegovinë e kudo.

Një mirënjohje të veçantë kam për të gjithë familjarët tuaj, të ushtarakëve, sakrificat e tyre dhe forcën që ata gjejnë për të përballuar largësinë dhe rreziqet e njerëzve më të dashur.

Sot, dëshiroj të shpreh një mirënjohje dhe falënderim për të gjitha vendet aleate dhe mike e Forcat e tyre të cilat jo vetëm e mbështetën antarësimin e Shqipërisë në NATO por ndihmuan dhe mbështetën Forcat tona të Armatosura me shkollim, me ekspertizë dhe pajisje e infrastrukturë ushtarake.

Në këtë datë historike dëshiroj sërish të konfirmoj edhe njëherë mbështetjen time të palëkundur për Forcat e Armatosura dhe të shpreh besimin se përkushtimi dhe sakrificat e tyre do të vlerësohen dhe do të shpërbehen siç e meritojnë.

E nderuar Zonja Ministre,

Zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm, të dashur ushtarakë,

Duke shprehur kënaqësinë për rritjen e buxhetit për vitin 2018, përkushtimin dhe vetëmohimin e treguar nga Forcat e Armatosura në menaxhimin e emergjencave civile, dëshiroj t’ju konfirmoj se çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura, përmbushja e detyrimeve në kuadër të NATO-s, do të kenë gjithmonë mbështetjen time të fuqishme.

Gëzuar 105-Vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!

Lavdi përjetë ushtarakëve tanë që kanë dhanë jetën në emër të Atdheut dhe Flamurit!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb