TIRANË

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Helidon Bendo ka uruar 107-vjetorin e krijimit të institucionit që ai drejton, ndërsa shprehet se SHISH është i përkushtuar maksimalisht në ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjen e integritetit, pavarësisë e rendit kushtetues të Shqipërisë. Më tej, kreu i këtij institucioni me rëndësi të veçantë ka shprehur ngushëllimet ndaj familjarëve që kanë humbur të afërmit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Urimi i Bendos për 107-vjetorin e SHISH:

Të nderuar punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, Sot mbushen 107 vjet nga data e krijimit të Shërbimit Sekret të Shtetit Shqiptar. Duke përfituar nga ky rast, ju shpreh urimet dhe përshëndetjet më të ngrohta. 17 dhjetori i 1912-ës shënon aktin zyrtar të krijimit të këtij Shërbimi, si pjesë e pandarë e themelimit të shtetit shqiptar. Sot, 107 vjet më pas, Shërbimi Informativ i Shtetit është i përkushtuar në ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjen e integritetit, pavarësisë e rendit kushtetues. Puna, sakrificat dhe arritjet e Shërbimit Informativ të Shtetit na sigurojnë që veprimtaria e tij do të mbështetet edhe në të ardhmen në vlerat që besojmë: ligjshmëria, integriteti, profesionalizmi dhe puna në ekip.

Të nderuar kolegë, Më lejoni të shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur edhe në emrin tuaj keqardhjen për humbjen e jetëve, shkatërrimin e pronave dhe zhvendosjen e qytetarëve si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor 2019. Ne jemi në mbështetje të kolegëve tanë, familjeve të tyre dhe të gjithë shqiptarëve, të cilët kanë nevojë për ndihmë konkrete.

Së fundi, duke e vënë theksin te përkushtimi juaj i vazhdueshëm, ndjehem mirë që kontributi i punonjësve të SHISH-it për garantimin e sigurisë kombëtare është i mirëvlerësuar nga vendimmarrësit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Gëzuar ditën e krijimit të Shërbimit Sekret Shqiptar!

DREJTORI

Helidon Bendo

Capture
Capture

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: