TIRANË

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dhënë një mesazh për Forcat e Armatosura, që përvjetori i 107-të i gjen ata në krye të solidaritetit me qytetarët  e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Me një postim në “Facebook”, Kreu i Shtetit ka postuar një video nga puna e FA-së në vatrat e tërmeti tragjik, ku dhjetëra qytetarë humbën jetën dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.


Më tej Meta thotë se ndihet krenar për djemtë dhe vajzat me uniformë, ndërsa shton faktin se tërmeti i të martës nxori në pah faktin se ka ardhur koha për një modernizim të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.


Postimi i Presidentit:

Me konsideratat më të larta, ju shpreh sot urimet më të ngrohta të gjithë burrave dhe grave në uniformë të Forcave tona të Armatosura, me rastin e 107-vjetorit të Ushtrisë Shqiptare!


Falenderim dhe mirënjohje për kontributet e vyera, përkushtimin heroik dhe sakrificat sublime për mbrojtjen e Atdheut dhe Sigurisë Kombëtare, për operacionet humanitare e paqeruajtëse, si dhe për garantimin e lirisë, paqes e stabilitetit kudo në botë, nën flamurin e NATO-s.

Ky 107-vjetor, i gjen Forcat tona të Armatosura, në krye të solidaritetit dhe ndihmës për vëllezërit e motrat shqiptare të prekur rëndë nga pasojat e tërmetit tragjik, duke spikatur me profesionalizmin, përkushtimin dhe dashurinë për të shpëtuar banorët e mbetur nën rrënojat e kësaj fatkeqësie natyrore shkatërrimtare, që nxorri në pah dhe domosdoshmërinë e modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare.

Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë! Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për Atdhe dhe Flamur! ??.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: