ELBASAN

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë sot në ceremoninë e përkujtimit të 108 vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë së Elbasanit.

Në fjalën e tij, Balla tha se Elbasani ishte qyteti i parë që shpalli Pavarësinë më 25 nëntor 1912.

“Kjo është data në të cilën u shpreh nga udhëheqësia e Elbasanit përkrahja dhe mbështetja ndaj Ismail Qemalit në nismën e ndërmarrë prej tij për organizimin e Kuvendit Kombëtar në Vlorë.

Në këtë ditë 108 vite më parë, shpallja e pavarësisë iu dërgua me telegram Vlorës ku njoftohej se: “Gjithë populli ynë (i krahinave të Elbasanit) myslimanë e të krishtenë, me nji za kan pranue independencën e Shqipnisë”.

Ky ishte një akt historik që parapriu Shpalljen e Pavarësisë së vilajeteve shqiptare nga Perandoria Osmane. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali”, deklaroi Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb