11 Shtatori shënoi kthesën historike. Tërheqja nga Afganistani 20 vite më vonë është prova, se SHBA tani po vënë interesat e tyre të brendshme mbi gjithçka tjetër, shkruan Ines Pohl.

Sulmi terrorist i 11 shtatorit në SHBA e goditi në zemër Amerikën. Shumëfish. Një sulm, që në këtë formë nuk kishte ndodhur kurrë në tokën amerikane. Jo vetëm përsa i përket numrit të të vdekurve dhe plagosurve. Por edhe për shkak të precizionit, me të cilin terroristët shkatërruan brenda një ore simbolet e fuqisë ekonomike dhe ushtarake në botë. Vetëm falë disa pasagjerëve të guximshëm avioni i katërt pas Qendrës Botërore të Tregtisë e Pentagonit nuk e vazhdoi fluturimin e vdekjes në Shtëpinë e Bardhë apo Capitol.

Tronditja ekzistenciale gati e harruar
Sot 20 vite më vonë ky shok, kjo tronditje ekzistenciale pothuajse do ishte harruar. Sidomos për 30 vjeçarët e më të rinjtë që kanë shumë pak kujtime aktive për këtë ditë. Por edhe për amerikanet e amerikanët larg Nju Jorkut dhe Uashingtonit këto ngjarje do kishin hyrë në histori. Masat e sigurisë në aeroporte mund të të nervozojnë, por me radhët e gjata njerëzit u mësuan, ata i heqin vetë këpucët dhe janë gati të paguajnë 4 dollarë për një shishe ujë pas kontrollit të sigurisë. Nuk kishte për të ndryshuar ndonjë gjë në këtë drejtim edhe 20 vjet pas sulmeve terroriste.

Të gjitha këto, sikur presidenti Biden të mos e kishte lidhur tërheqjen nga Afganistani me këtë datë kaq fatale. Ai e përcaktoi 11 shtatorin si ditën kur të gjitha trupat amerikane do të largoheshin përfundimisht nga Afganistani. Për të thënë, se misioni u përmbyll me sukses.

Paragjykime islamofobe
Por për shkak të pamjeve aktuale nga Kabuli vështirë të flasësh për sukses në politikën e jashtme. Ndërsa në politikën e brendshme debati për mënyrën si duhet vepruar me refugjatët nga Afganistani ka nxitur paragjykimet islamofobe të viteve të para pas sulmeve terroriste. Duket se myslimanet dhe myslimanët po kthehen sërish në instrumente për fushata zgjedhore apo për zgjedhjet e ndërmjetme. Pamjet e para 20 vjetëve përdoren pikërisht për këtë instrumentalizim.

Për të kuptuar aktualitetin mjafton një vështrim në të shkuarën. Në shtator 2001 George W. Bush ishte në vitin e parë si president i Shteteve të Bashkuara. Ai u duartrokit mjaft për deklaratën, se do të eliminojë organizatorin e sulmeve terroriste, Osama bin Laden me të gjitha mjetet. Për vite u derdhën miliarda në luftën e ashtuquajtur luftë kundër terrorit, si shërbimet sekrete edhe ushtria u armatosën me teknologji të lartë. Narrativa e pranuar gjithkund ishte se SHBA u sulmuan nga jashtë dhe duhej bërë gjithçka për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij kërcënimi.

Ëndrra mori fund
Por me çdo vit, me të cilin zbeheshin pamjet e kullave duke u rrëzuar, ra gatishmëria për të sakrifikuar jetë të tjera njerëzish dhe shpenzuar miliarda për luftëra që dukej se nuk do merrnin fund. Elita politike ishte futur në një grackë. Për të justifikuar luftërat, nuk mund të bëhej më fjalë për luftë kundër rrjeteve terroriste pas vrasjes së Osama Bin Ladenit në vitin 2011 në Pakistan .

Gjithnjë e më shumë po flitej për mbështetjen e forcave demokratike. Me qëllimin që të shndërrohej Afganistani në një shtet sipas modelit perëndimor. Si në Vietnam ekzistonte iluzioni, se mund të eksportohej sistemi politik për të mbrojtur kështu botën nga komunizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi. Kjo ëndërr ka marrë fund. Joe Biden nuk le asnjë dyshim tani, që SHBA aktivitetet e saj në politikën e jashtme do t’i kushtohen vetëm interesave të vetë vendit. Angazhimi ushtarak amerikan do të reduktohet edhe më shumë. Presidenti Biden do t’i kushtohet nevojave të politikës së brendshme si përmirësimin e infrastrukturës dhe luftës kundër katastrofës së klimës.

Kush e mbush vakuumin?
Në politikën e jashtme ka vetëm një prioritet. Lufta për pushtet me Kinën. Në Siri amerikanët ia lanë fushëbetejën Rusisë, edhe në Libi SHBA qëndroi e tërhequr. As Izraeli madje nuk do të mbështetet më tek SHBA dhe po zgjeron marrëdhëniet e tij me shtetet arabe. Se sa do të rezistojnë këto aleanca është e pasigurtë. Shumë ekspertë janë të mendimit, se frenimi për sulme asgjësuese ushtarake nuk do të jetë më aq i lartë, sa më shumë që SHBA del nga fusha e lojës. 20 vite pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit kullat në rrëzim të Qendrës Botërore të Tregtisë janë kthyer në simbol të tërheqjes së SHBA nga pozicioni i xhandarit të botës për kaq vite. Dhe në paralajmërim se duhet të krijohen aleanca të reja, nëse do duhet të pengohet që vakuumi i krijuar të mbushet me fuqitë antidemokratike./DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb