TIRANË

Lindita Nikolla e sheh si një përfaqësim i sektorëve të rëndësishëm në vend, përfaqësimin në qeveri nga kryeministri Edi Rama me 12 ministre zonja.

E ftuar në “Frontline” në Neës24, Nikolla pohoi thënien se gratë janë punëmbaruara, por edhe më të përgjegjshme në detyrat që marrin përsipër.

“Zënë vendin e parë në botë, janë 12 gra ministre. Unë nuk e mendoj si një kartë për PR nga zoti Rama. Vërtetë shoh tek secila prej zonjave një vlerë të shtuar, profesioniste, politikane që bëjnë të mundur atë sinergjinë e nevojshme që një qeveri kërkon. Nuk besoj se zoti Rama ka rendur pas rekordit, por njerëz për të përfaqësuar sektorë të rëndësishëm në vend. E vërtetë është që punëmbaruara janë gratë”, tha ajo.

A janë gratë në politikë të pakompromentueshme apo më lehtë për t’u komanduar?
“As njëra as tjetra. Por jeta ka treguar që gratë janë më serioze, më të përgjegjshme në detyrat që marrin përsipër dhe pse jo kanë një raport ndershmërie”, u shpreh Nikolla.

Lidhur me dhunën ndaj grave dhe vrasjet, Nikolla tha se do të ndërmerret një operacion cilësoj për të adresuar këtë problem të shoqërisë shqiptare.
“Shumë të drejtë keni, ndoshta jemi deficitare por jo më larg se dje kemi pasur një takim me gratë deputete. Do jetë kuvendi e posaçërisht gratë deputete për të adresuar këtë problem të rëndë ndaj grave e vajzave.
Nuk është se mungojnë ligjet në fakt, mungon zbatueshmëria e ligjeve. Zonjat që takova dje kanë një projekt të tyre, do të jem në krah të tyre, do mundësoj sa të mundem që të kthehet në çështje të madhe të institucioneve. Të gjitha ato zonja do jenë në territor për të takuar gratë e dhunuara, kryebashkiakët për detyrat që kanë, me të gjithë institucionet për të mundësuar dhe ndryshimet ligjore. Ne do të bëjmë një operacion cilësor për të adresuar këtë problem të shoqërisë shqiptare. Duhet të jetë problemi i parë i parlamentit të Shqipërisë”, theksoi kryetarja e parlamentit.
Sa i përket raporteve Kuvend-gazetarë, Nikolla tha se gazetarët janë të lirë të ndjekin seancat në komisione. “Edhe pse regjia në kuptimin e kamerave do të jetë rrjeti i TVSH-së që jep seancat dhe gjithçka që ndodh në parlament, por gazetarët janë të ftuar dhe kanë vendin e tyre. Si gjithmonë e hapur me mediat, do bëjmë takime periodike”, u shpreh ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb