Për herë të parë pas 12 vitesh, Inter rikthehet të luaj në çerekfinalet e Champions League. Ashtu si kushërinjtë kuqezi, zikaltërit i falen fitores 1-0 në sfidën e parë në “San Siro”.

Në “Do Dragao”, ekipi i Inzaghit u tregua shumë i kujdesshëm të mos i linte hapësira portugezëve, u mbrojtën mirë, mbajtën portën të paprekur duke dalë të pamposhtur pas barazimit pa gola. Asnjë minutë sërish për Kristjan Asllanin, i “ngujuar” në stol nga Inzaghi.

Inter
Inter

Inter kishte fatin me vete në këtë transfertë, ku Onana ishte në një mbrëmje fantastike, priti gjithçka i shkoi në portë, ndërsa në fundin e sfidës, në minutën e 94-të, ishte me fat teksa topi u përplas dy herë në shtyllë. Pavarësisht se nuk ishin brilant, Inzaghi shijon këtë kualifikim që i jep pak më shumë frymëmarrje edhe trajnerit, i përfunduar nën akuzë pas një ecurie jo pozitive në Serie A:

“Vuajtëm të gjithë në finale, por ky grup ka bërë historinë e Interit. Unë nuk besoj shumë te fati, di të them që në dy ndeshjet, Inter e meritoi kualifikimin. Tani do t’i luajmë çerekfinalet me më shumë besim. E ardhmja ime? Unë jam shumë i qetë, festoj për këtë kualifikim dhe kur të jetë momenti do të flasim me shoqërinë. Duam të mbrojmë vendin e dytë në Serie A, jemi në çerekfinalet e Champions dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë”, u shpreh Inzaghi.

Feston për këtë kualifikim edhe presidenti Zhang: “Më në fund jemi kthyer të jemi konkurrues në nivel evropian. Për një klub si ne është e rëndësishme te jemi gjithnjë në nivele të larta në Evropë, ky është objektivi ynë”, u shpreh Zhang për faqen zyrtare të klubit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb