TIRANE

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka uruar 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës duke theksuar se gjenerata e re e udhëheqësve në Kosovë duhet të çojë me vendosmëri para ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutimet arritjet e mëdha historike.

Në një urim në rrjetet sociale, Bushati thotë se “nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se Kosova shtet është produkt i sakrificës për liri dhe rendit ndërkombëtar të bazuar mbi respektin për të drejtat e njeriut”, duke u shprehur se 17 shkurti 2008 shënoi realizimin e dëshirës së hershme për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Gjenerata e re e udhëheqësve të Kosovës dhe qytetarët e saj duhet të çojnë me vendosmëri përpara ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutim arritjet e mëdha historike”.

Postimi i plotë:

Kosova si shtet i pavarur lindi nga sakrificat, mundi dhe mençuria e disa gjeneratave. Ajo u ngrit në këmbë nga gjaku i dëshmorëve dhe dhimbja e popullit, i cili e pati në krahë mbështetjen e SHBA-ve dhe të aleatëve tanë në NATO. 17 shkurti i vitit 2008 shënon realizimin e dëshirës së hershme për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të drejtë që respekton dinjitetin e qytetarëve të saj, që garanton barazinë, që synon mirëqenien dhe që është e hapur për marrëdhënie të mira e bashkëpunuese me të gjitha shtetet, sidomos në rajon.

Në këto 12 vite rrugëtimi jo të lehtë, Kosova ka shënuar hapa përpara në procesin e shtetndërtimit demokratik. Këtë e treguan edhe zgjedhjet e mirëorganizuara parlamentare të 6 tetorit, të cilat u vlerësuan edhe nga organizatat ndërkombëtare. Gjenerata e re e udhëheqësve të Kosovës dhe qytetarët e saj duhet të çojnë me vendosmëri përpara ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutim arritjet e mëdha historike.

Ne shqiptarët nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se shteti i Kosovës është rezultat i sakrificës për liri dhe rendit ndërkombëtar të bazuar mbi respektimin e të drejtave të njeriut. Ndaj, sot është dita gjithashtu që të shprehim mirënjohjen për SHBA-të dhe aleatët tanë në NATO!
Gëzuar jetë e mot Pavarësinë Kosovë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb