Drejtoresha ekzekutive e  “Albanian Excellence” Flora Nikolla e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tregoi për ekspozitën “121 histori suksesi”, e cila i dedikohet gruas shqiptare.

Nikolla tha se ajo dhe grupi i saj do bëjë ekspozita në Patos dhe u shpreh se ishte e lumtur që gëzuan një qytet të vogël dhe periferik, ndërsa shtoi se më tej se do shfaqin ekspozitën në Prishtinë dhe se seti fotografik i dedikohej femrave të dhunuara gjatë luftës.

“Ne do jemi në Patos dhe vërtetë që është qytet i vogël, periferik, por ekspozita jonë besojmë se do e zbukurojë qytezën. Ne do jemi edhe në Prishtinë dhepër ekspozitë fotografike, për dhunën e gruas shqiptare. Gratë në Prishtinë shpesh herë kanë turp, nuk e flasin atë krim makabër që ka ndodhur në kryeqytetin e Kosovës dhe në mbarë shtetin më të ri në Ballkan. Gratë e dhunuara në Kosovë madje duhen shpallur krim lufte”, deklaroi Nikolla.

Flora Nikolla u shpreh se ajo dhe bashkëpunëtorët më tej kanë vizituar edhe Preshevën dhe trojet ku jetojnë shqiptarët. Ajo tha se është vendosur që viti 2020 të shpallet viti i Preshevës.

“Kemi qenë edhe në Preshevë. Kemi bërë ekspozitë në Preshevë dhe kam qenë me bashkëpunëtorë të afërt. Ne vendosëm që vitin 2020 ta shpallim vitin e Preshevës. Ne kemi nënshkruar memorandumin me Komunën e Preshevës. Ne kemi sloganin “Ne jemi me Preshevën”. Kishte emocione, sepse Presheva është pjesa më e skajshme e kombit shqiptar dhe është në shtetin e Serbisë. Ne shkuam edhe në Medvegjë, e takuam edhe një zotëri, që kishte punësuar gra, vajza dhe persona të tjerë, për t’iu dhënë frymëmarrje, sepse shteti serb pak kujdeset për këtë popullatë. Ne kemi shkuar edhe në Ulqin, kudo ku ka shqiptarë”, deklaroi ajo.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb