Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa ndodhej me kryeministrin Edi Rama në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në pritje të dozave të tjera të Pfizer, foli dhe për atë çka pritet në javët e ardhshme në këtë drejtim.

Manastirliu theksoi se javën e ardhshme priten të mbërrijnë në vend dhe 8 mijë doza të tjera vaksinash nga kompania Pfizer. Gjithashtu ajo shtoi se nga marrëveshja që shteti shqiptar ka bërë me kompaninë COAX pritet të vijnë plot 141 mijë doza.

Sakaq, ministrja nënvizoi se vazhdimisht janë në komunikim me shtet për tëlidhur kontrata direkte për sasinë e dozave të nevojshme për të gjithë kërkesat që ka Shqipëria.

“Kemi një kontratë me kompaninë Pifzer, në të gjithë botën ka pasur një shtyrje por ne nuk lëvizëm nga dozat e parashikuara. Duke filluar nga java e ardhshme vijnë 8 mijë doza të tjera. Duke nisur nga 1 marsi deri në 15 mars do të vijnë 40 mijë doza në total. Kjo nuk do të thotë se i kemi ndalur me kaq përpjekjet, sepse jemi duke folur me Pfizer për doza të tjera. Nga COVAX kemi marrë një përgjigje pozitive, të planifikuara për Shqipërinë për të ardhur 141 mijë doza në tremujorin e parë dhe të dytë të këtij viti. Vlerësohet që këto doza do të vijnë në muajin mars, pra nga java e dytë në javën e katërt dhe nga prilli do të vijnë dozat e tjera. Përpjekjet tona po vijojnë dhe me shtetet që jemi në komunikim periodik, për të lidhur kontrata direkte dhe përpjekjet tona do të vazhdojnë për të vijuar kalendarin e vaksinimit. Duhet të themi të kuptojmë që në varësi të llojeve të vaksinave që ne blejmë, ky kalendar do të jetë i aksesueshëm”, tha Manastirliu.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb