VLORE – Policia e Vlorës bëri të ditur se sot ka marrë njoftimin nga një qytetar në Portalin “Komisariati – Digital” se: “Në postimet e fundit në një nga rrjetet sociale të Facebook-ut, të quajtur “Jeta Osh Qef”, është shpërndarë një video e një djali minoren, i cili ka në dorë një armë zjarri duke qëlluar në ajër dhe të cilësuar me mbishkrimin: -“Ja si do e presim Serbinë në Vlorë” !!!

Në lidhje me këtë raportim, Strukturat përkatëse të Policisë së Vlorës, pas hetimeve të kryera në mënyrë të menjëhershme, kanë bërë të mundur identifikimin e personit në fjalë, ku rezultoi se kjo video është realizuar nga shtetasi: B.A.,16 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, Vlorë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij personi, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, një “Armë-Lodër” të ngjashme me një “Armë-Zjarri” të vërtetë, tip Pistoletë, ngjyrë e zezë, me mbishkrimin “Ekol-Aras-Magnum”, një krëhër me një fishekë, me kapsollë të pa plasur, ku në pjesën e majës ka një material plastik ngjyrë jeshile të ngjashme me ato të fishekëve zhurmues.

Policia ka bërë shoqërimin e personit të mësipërm në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës dhe sipas deklaratës së tij, ai ka shpjeguar se kjo video është kryer para 20 ditësh në rrugën e lagjes së tij “Osman Haxhiu”, në vendin e quajtur “Sheshi i Kateqit”, me qëllimin e vetëm për ta postuar në profilin e Facebook-ut të tij.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb