Nga: ERJON SKENDAJ*
TIRANE – Nga Spitali i Traumës në Senatorium, nga Senatoriumi në QSUT e mandej sërish në Spitalin e Traumës ku rrethi vicioz i pasimit të sëmurit si top futbolli nis nga e para.

Është kjo odiseja rraskapitëse e vuajtjeve pa sens që po heq ky djalosh. Emrin e ka Roland Nika, është 17 vjeç nga Shkodra dhe vuan nga një traumë e rëndë në laring, shkaktuar pas një aksidenti me motor, çka po i zvogëlon çdo ditë e më shumë frymëmarrjen që deri më tani ka rënë nën 70%.

Por kjo është vetëm një pjesë e vogël e problemit teksa mësojmë nga mjekët se për ti shpëtuar jetën djalit ka vetëm një kurë, vendosja e një stende në trakenë e ngushtuar, operacion që nuk realizohet në Shqipëri.

I njohur me këtë fakt disa muaj me vonesë, ndërsa sëmundja ka hyrë në një pikë kritike babai i 17-vjeçarit Pashk Nika ka vendosur të denoncojnë publikisht Spitalin e Traumës për neglizhencë dhe mos diagnostikimin në kohë të sëmundjes së fëmijës së tij.

Nika shkon dhe më tej duke ngritur gishtin e akuzës ndaj disa mjekëve të njohur të spitalit të Traumës, për mosreferimin e rastit në Ministrinë e Shëndetësisë, për tu dërguar jashtë vendit.

Të kontaktuar nga “News24” mjekët e Senatoriumit dhe ata të shërbimit maksilofaciale në QSUT bëjnë të ditur se e njohin rastin, të cilin e kanë analizuar klinikisht porse në fund ia kanë përcjellë sërish spitalit të Traumës për pamundësi të trajtimit të sëmundjes.

Madje mjekë të Senatoriumit pohojnë se ia kanë komunikuar familjes stadin e rënduar të sëmundjes së djaloshit, duke rekomanduar që ai të dërgohet me urgjencë në Turqi. Në këtë pikë babai i fëmijës Pashk Nika tregon se ka marrë kontakt telefonik me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj teksa ky i fundit ndodhej për një vizitë jashtë vendit.

Nga sa dëshmon babai, referimi i rastit të rëndë në Turqi është realizuar vetëm dy ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë në një kohë që fëmija ka 3 muaj i shtruar në spitalin e Traumës.

Burokraci, neglizhencë apo paaftësi gjatë shërbimit, sido që ti vihet emri pasojat po i paguan 17-vjeçari, jeta e të cilit varet në një fije peri thjesht për mungesën e një stende në laring, operacion që në vendet e përparuara kushton nga 10 deri në 20 mijë euro.
Nga spitali universitar i Politraumës nuk ka një reagim zyrtar për rastin e Roland Nikajt nga Shkodra, jeta të cilit varet në një fije peri.

Për ti ardhur në ndihmë 17-vjeçarit, mund të kontaktoni me babain e tij, Pashk Nika në këtë numër telefoni: 0686208310.

Numrat e llogarisë bankare në emër të babait të tij Pashkë Nika:

Në EURO

AL48 2121 1360 0000 0000 0082 1531

Në ALL

AL59 2121 1360 0000 0000 0082 1527
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: