NGA KLODIANA HAXHIAJ

DURRËS –
Shtrati nr.99 në repartin e reanimacionit të maternitetit të Durrësit, prej muajsh nuk është liruar asnjëherë. Aty po rritet një vogëlush, i cili është braktisur pas lindjes nga nëna e tij. Që prej katër muajsh, për vogëlushin kujdeset i gjithë stafi i maternitetit.

“Klejdi është bërë shumë i dashur për ne. E ushqejmë dhe kujdesemi të gjithë për të që të mos i mungojë asgjë. Kemi bërë gati dokumentacionin për ta dërguar në Shtëpinë e Fëmijës”, tha shefja e repartit, Dhurata Beshello. Ajo pohoi se nëna e vogëlushit është një 17-vjeçare që vuan nga probleme mendore.

“17- vjeçarja u soll në maternitet nga motra e saj, e cila hapi kartelë mjekësore. Pas lindjes, fëmijën e la këtu me pretendimin se nëna e tij natyrale nuk kishte mundësi ta rriste. Rrethanat e ngjizjes së fëmijës nuk dihen”, u shpreh Beshello. Ndërkohë, kjo e fundit tha se nëna e foshnjës është nga një fshat i një rrethi tjetër dhe se motra e saj nuk u interesua për fëmijën. Gjithashtu, shefja e repartit të reanimacionit të maternitetit të Durrësit sqaroi se janë kryer të gjitha procedurat për ta dërguar vogëlushin në Shtëpinë e Fëmijës, për t’iu nënshtruar më pas procedurave të birësimit.

“Djali është regjistruar në gjendjen civile dhe sipas procedurave do të jenë punonjësit e Shtëpisë së Fëmijës që do ta marrin atë nën mbikëqyrje deri në dhënien e tij familjeve që kërkojnë fëmijë për birësim”, pohoi Dhurata Beshello. Rastet e braktisjes së fëmijëve në maternitet janë të shumta. Ndërsa, mjekët, infermierët dhe sanitarët detyrohen të bëhen prindër në turnin e punës për foshnjat e braktisura.

“Para disa muajsh nisëm një fëmijë, më herët ishin dy të tjerë. Mendoj që zgjatet shumë kjo procedura e nisjes së fëmijëve nga materniteti deri në Shtëpinë e Fëmijës. Afeksionohemi të gjithë me këta fëmijë, të cilët i rrisim vetë. I gjithë stafi sapo vjen në punë, kujdeset për ta. Nuk është mirë që të braktisësh fëmijën e ta lësh këtu. Atë dashuri që do i jepte e ëma, nuk do të mund t’ia japë askush. Megjithatë, më mirë që i braktisin në maternitet dhe jo në rrugë”, tha mjekja.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: