Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Fitim Zekthi, i ftuar në rubrikën “Opinion” “News 24”, deklaroi se foltorja e ka humbur shkëlqimin dhe ciklin e saj.

Ai tha se më shumë gjasa ka që të krijohet një lëvizje tjetër politike, e kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, se sa nisma e iniciuar prej tij të marrë drejtimin e PD.

“Unë futem në ata njerëz që nuk pranoj faktin që një turmë futet në parti. Edhe kryeministria është shtëpia e shqiptarëve, por nuk futet një turmë atje. Edhe në shtëpinë tënde futesh me rregull. Edhe në godinën e PD demokratët nuk duhen të futen si i do qejfi. Ka çdo gjë rendin e vet të gjërave. Demokratët nuk mund të futen ku duan e si duan. Gjëja e dytë është që këto janë sjellje që bëhen me qëllim për të trembur, se grupi i foltores e ka humbur pushtetin dhe e di që ka dështuar.

PD nuk merret në mënyrë të paligjshme. Do të doja të ketë pasur një garë me debate, një garë legale. Padyshim që PS dhe partitë e tjera kanë dëshmuar këto vite që nuk dallohen për ndonjë fuqi të madhe vetërregulluese. Është e vështirë. Siç janë partitë politike janë ekonomia, sporti. Nuk ka rrugë tjetër veçse rregullimit të brendshëm. Revolucion s’bëjmë dot ne. Kur dëgjoj se do të bëhet revolucion… Ne ndjekim linjat themelore të kushtetutave që kemi.

Lëvizja e foltores dështoi, sepse u ngrit për një interes të caktuar. PD është brenda një tollovie të madhe, për shkak të mënyrës se si foltorja tërhoqi pas vetes një pjesë të demokratëve. Kjo është shqetësim. Unë personalisht e shumë të tjerë kemi qenë të kujdesshëm, të kulturuar. Foltorja ndërkohë ka reaguar me shpifje, sharje. Kjo është në natyrën e tyre që të bëhen radikale e të intimidojnë të tjerët. Kjo ka dështuar dhe do të dështonte”, tha Zekthi.

Për Zekthin Partia Demokratike ndodhet ende në opozitë pasi sipas tij, pas humbjes në zgjedhjet e 2013 nuk u pasurua me figura të reja, si dhe një element përcaktues sipas tij ka qenë dualizmi.

“Është krijuar një organizatë e re politike, de facto, që ka rrugë të legjitimohet si parti në skeptrin politik shqiptar dhe të vijojë betejën politike. Si lëvizje për të marrë PD s’mund të ketë më jetë. Foltorja pretendon se ka shumicën. Unë them se nuk e ka. Ama mënyra se si ka vepruar foltorja tregon se nuk e ka shumicën. Ajo ka prodhuar zhurmë, gjullurdi duke treguar se kanë shumicën. E gjithë kjo narrativë u përkrah nga mediat në Shqipëri dhe u krijua përshtypja sikur ata kanë shumicën. Në protestën e Berishës pjesëmarrja ishte e vogël.

Partia kryesore e opozitës që është PD, me kalimin e ditëve Duhet që një parti të tregojë që ka idetë më të mira për të ndryshuar gjendjen në Shqipëri. Ekipi që ishte në pushtet për 8 vite qëndroi aty, po flasim për PD. Nuk provuam alternancë. PD pati një narracion të njëjtë si me vitet e kaluara. Ne kemi ardhur nga pushteti në opozitë, duhet të krijonim alternativa të reja që s’u krijuan për shkak të dualitetit. Opozita duhet që narracioni të jetë një tjetër, të prodhohen ide dhe të shpjegohen se përse janë këto ide dhe pse këto ide do ta ndryshojnë Shqipërinë”, përfundoi Zekthi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: