Deputeti demokrat, Ervin Salianji, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, rikthimin e ish-kryeministrit Sali Berisha pas katër muajsh në Kuvend dhe akuzat e tij të forta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.

Për Salianjin, nuk janë të vërteta akuzat e Berishës se Basha bashkëpunon me Ramën, por sipas tij, sot në Kuvend u kuptua që vetë ish-kryeministri bashkëpunon me mazhorancën, pasi kjo e fundit i dha disa herë fjalën, edhe në shkelje të rregullores.

Duke u ndalur te zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Salianji theksoi se PD do të përfaqësohet me kandidatët më të mirë, të zgjedhura nga strukturat e partisë.

Intervista:

Rikthimi i Berishës në Kuvend dhe akuzat e tij ndaj Bashës…
Është në të drejtën e tij të rikthehet në Kuvend. PD ka marrë vendim të qartë në lidhje me Berishën, ai është i përjashtuar nga PD, për shkak të nxitjes së dhunës. Është një marrëdhënie që ai ka me Kuvendin si institucion. Unë nuk shoh bashkëpunim të Ramës me Bashën, siç tha ai, por mazhoranca i lejonte fjalën, edhe në tejkalim e shkelje të rregullores, Berishës. Fjala në Kuvend merret për procedurë dhe procedura nuk është shqetësimi për Ukrainën, as hetimi për pastrimin e parave, sepse ai ka qenë promovuesi kryesor i Lulzim Bashës. Në këtë kuptim nuk duhet t’i harrojmë disa elementë të rëndësishëm, që kanë të bëjnë me ndërtimin e narrativës në politikë. Shfrytëzimi i demokratëve në këtë përmasë për interesa thellësisht personale është i dëmshëm për PD, por po vjen duke u zbehur. Siç u pa dhe sot në Kuvend, PS dhe Rama kërkon t’i fryjë konfliktit për të hequr vëmendjen mbi lajmet e zeza. Shkatërrimi i gjithë kontributit pozitiv që ka dhënë për Shqipërinë, përmes lëvizjeve që po bën tani, bën që ta kthejnë në bilanc negativ kontributin e tij.

Zgjedhjet e 6 marsit…
PD do të ketë një kandidat me reputacion të lartë në komunitet, të zgjedhur nga strukturat e partisë. Nuk kemi frikë nga zgjedhjet. Nuk besoj që demokratët do të shpërdorojnë votat, nëse do të ketë një PDR të re nga Berisha. Është tentativë për të krijuar një parti të re. Nuk është momenti për të investuar në një parti të re. Do më vijë keq, nëse do të ndodhë. Nuk besoj që do të ketë kandidatët që do të dalin nga PD, apo që janë demokratë, e do të vendosin interesin e caktuar të një grupimi njerëzish që nuk kanë pushtet, por që janë mësuar me pushtet, për të dëmtuar interesat e demokratëve. Nuk mundet që ‘foltorja’ të shihet si ‘faltore’ në këtë rast. Trajtimi ndaj demokratëve në Shkodër, por edhe pakënaqësia e tyre, është në nivele stratosferike. Fakti që PD po reflekton e po ndërmerr vendimet e duhura, pa diskutim që do të vlerësohet me votë. Në çdo zonë do të kemi kandidatin më të mirë, do të jetë një kandidat i vetëm i PD. Nëse ndonjë demokrat i përjashtuar nga partia do iu bashkohet siglave të tjera, këta nuk janë demokratë. Të mos e çojnë ujin te Rama. Ky është një nga rastet më të qarta se si përfaqësuesit e ‘foltores’ po çojnë ujin te Rama, po tentojnë të dëmtojnë PD. Çdo votë që ikën nga PD dhe devijohet, e dëmton partinë.

Emrat e kandidatëve…
Është një proces që vijon në PD. Po kryen një proces të zgjedhuar në lidhje me kandidaturat dhe do të zgjedhë kandidatët më të mirë përfaqësues të PD, por edhe më të mirët për komunitetet e tyre. Emrat e kandidatëve do të jenë shumë shpejt, para procesit ligjor. Të gjitha garat janë betejë për PD. Për PD nuk ka rëndësi pjesëmarrja, por është një parti që në ADN e saj ka fitoren. Pa diskutim që ne hyjmë për të fituar të 6 bashkitë që janë në garë. Testi është për Edi Ramën dhe qeverinë, sepse qeveria i organizon zgjedhjet. Me zgjedhje të lira e të ndershme, PD fiton pa asnjë diskutim. Ka një pakënaqësi ekstreme ndaj qeverisë. Në demokraci nuk bëhet këshillim kombëtar, por shkohet në referendum.

PS duket shumë e qetë për zgjedhjet e 6 marsit, a keni frikë se do të fitojë Rama, për shkak të përçarjes suaj?
PD është një dhe demokratët do të bashkohen te sigla e kësaj partie. Nuk i mohojmë problemet, që po kalon PD, për shkak të një vendimmarrje, që ka ardhur në raport me partnerët strategjikë, por në fund demokratët do të bashkohen, nuk do t’i japin oksigjen Edi Ramës. Ata e dinë se çdo votë e çuar te një kandidat, që nuk është i PD, i jep më shumë mundësi pushtetit, që të influencojë. Nuk besoj se ka demokratë që do të shkojnë në parti të tjera dhe nuk do të qëndrojnë në partinë e tyre.

Çfarë marrëdhënieje keni me aleatët?
Nuk kemi luftë me ndonjë parti aleate. Ne jemi aty për të ofruar kandidatët më të mirë, programin më të mirë dhe për të qenë sa më afër fitores. Është një proces me strukturat e PD për të nxjerrë kandidatët më të mirë. Strukturat e PD, edhe në bazë, janë me PD, nuk janë në ‘foltore’. Edhe kryetari i PD është në bazë, duke u takuar me njerëz e demokratë, ashtu si edhe deputetët e PD. Do bëjmë të mundur që të fitohet përballë kandidatit të Ramës, jo siç po bën ai i ‘foltores’, për të cilët nuk ka rëndësi çfarë marrin ata, por që t’ia heqin vëllait, pra PD.

A jeni ju gati për t’u mbrojtur ndaj ndonjë manovre tjetër që mund të bëjë Berisha?
Berisha nuk ka asnjë mekanizëm, se si mund të regjistrohet. PD është vetëm një. Në PD mund të garosh e të fitosh, por nuk mundet që nga jashtë të vish, të mbledhësh disa njerëz, e të thuash ‘jam unë’. Nëse hyjnë me ndonjë parti aleate dhe ju thotë demokratëve të votojnë për të, por nuk e dimë nëse do të ndodhë kjo. Nuk dua të bëj asnjë aludim, nëse do të hyjnë bashkë me LSI, por unë dua që të gjithë demokratët të qëndrojnë te sigla e PD. Ne do bëjmë gjithçka, që të fitojmë të gjitha bashkitë. Kandidatët e PD do të marrin aprovimin e strukturave, ku është pjesë edhe kryetari. Propozimet vijnë nga strukturat, parashtrohen në Kryesi dhe merret një vendimmarrje kolektive.

Si po shkon puna në Qarkun e Korçës?
Shumë mirë, në raport me situatën e pas zgjedhjeve të 25 prillit. Dje kishim një pritje të jashtëzakonshme të kryetarit të PD. Ne do të krijojmë mundësitë, që sipas meritës, kushdo të promovohet në strukturat e PD.

Si e gjetët terrenin e lënë nga Spaho?
Unë aty kam qenë si deputet në dy mandate dhe kam pasur rezultatin më të mirë. Nuk kam gjetur njeri në fakt. Edhe gjatë fushatës, demokratët e kanë parë ku kanë qenë këta që tani janë te ‘foltorja’. Ai tani është i përjashtuar nga PD. Nuk kam çfarë them, sepse dihet rezultati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb