Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në “Real Story”, në “News 24”, tha se Partia Demokratike është duke vlerësuar emrat më të mirë e cilësorë për t’i vendosur si kandidatë në 6 bashkitë pa kryetar. Ai u shpreh i bindur se PD do të zgjedhë emrat e duhur për të përfaqësuar qytetarët.

“Jo domosdo postet të japin autoritet publik. Ismail Kadare s’ka asnjë post publik, At Zef Pëllumbi s’ka pasur poste, por janë një ndër personat më të nderuar të këtij vendi. PD ka disa personalitete. Po konsultohet me strukturat në Shkodër. PD do i japë Shkodrës emër seriozë e të denjë. Projeksionet tona janë për të fituar qytetet. Në Shkodër ka një fluks emrash për të kandiduar dhe është ky presion që po na shtyn drejt kësaj vonese. Shpejt PD do të dalë me një emër serioz dhe fitues në Shkodër”, tha Gjekmarkaj.

Duke folur për zgjedhjet që janë në prag, Gjekmarkaj tha:

“Unë ndihem një njeri përballë përgjegjësive të mëdha. Në një fjalim të mbajtur kam pohuar për një kontekst të caktuar të qëndrimit tim. Unë më të shenjtë kam kombin, gjuhën e ndjesinë se sa përkatësinë religjioze që është një çështje e imja personale. Përkatësia fetare s’duhet të dalë në sheshe. Kjo është një nga vlerat që ka populli shqiptar. Jo. Nuk ndihem i përdorur. Kjo ka qenë një nga shtysat që me modesti mendoj se do të na japë diçka. Tek e fundit 6 marsi është sado e lakueshme, sado e përgojuar është e drejtë e Presidentit. Makineria e madhe shtetërore e Edi Ramës, koalicioni i Berishës me LSI dhe nga ana tjetër është PD me Bashën. Unë besoj se kjo parti do të shpërbehet nga qytetarët që s’e bëjnë këtë për mëshirë, por ata kuptojnë që këta individë janë një mundësi të ndryshojnë jo vetëm qytetet, por edhe Shqipërinë”, tha Gjekmarkaj.

Ai pranoi se PD ka bërë disa gabime përgjatë viteve të fundit, duke përmendur këtu djegien e mandatave dhe bojkotimin e zgjedhjeve.

“Po pranoj gabimet si bojkotimi i zgjedhjeve, djegia e mandateve, por po them që duhet parë më me pozitivitet dekreti i shtyrjes së 30 qershorit. Nuk ndodhi kështu. Unë i kam gjykuar pozitive disa përpjekje të presidentit. A jam unë pro shkarkimit? Kam qenë kundra dhe më është dukur i padrejtë. Në parim nuk do të doja që Presidenti të shkarkohet nga Kushtetuesja sepse tregon se diçka nuk shkon me këtë vend. Një president nuk duhet të jetë i paanshëm, por me koherencë. Kush zgjidhet me president duhet të ketë parasysh kushtetutën. Presidenti nuk ka menaxhuar mirë anën emocionale, edhe pse ka tentuar të jetë një pol pajtues”, tha Gjekmarkaj.

Edhe pse tanimë në politikë, Gjekmarkaj tregoi se përse do të vijojë të jetë një zë kritik. Ai shprehu ndër të tjera hapur mbështetjen për zotin Basha duke treguar arsyet se përse beson tek ai.

“Kushtet e rrethanat historike ku kjo parti dhe njerëzit që e drejtojnë atë janë tejet të veçanta. Vetë natyra e politikës shqiptare është e egër. Është politikë që është dominuar nga barku. Falë zotit jam i çliruar nga këto. Kam punuar me djersën time. Mendoj që do jem i dobishëm për PD. Nuk ia heq asnjëherë vetes të drejtën për të qenë kritik. Basha duhet të fitojë. Unë do të bëj çdo gjë që ai të fitojë sepse Shqipëria ka nevojë që PD të fitojë. Sigurisht nëse në këtë vend që nuk e mendoj kurrë që të ndodhe të humbasim në zgjedhje të lirë duhet të largohet”, përfundoi nënkryetari i PD.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb