Sanksionet që janë vendosur nga qeveria angleze ndaj Roman Abramoviç, duke i hequr nga duart klubin e Çelsit, mund të sjellin një ndryshim të rëndësishëm në panoramën e futbollit jo vetëm në Angli.

Klubi ka probleme me likuiditetin që kur ka kaluar nën administrim dhe mediat angleze kanë zbuluar se është në telashe të mëdha financiare. Për shembull, brenda datës 1 prill duhet të paguajë 28 milionë paund rroga lojtarësh, stafi e punonjësish në të gjithë kategoritë ku merr pjesë.

Por me mungesën e likuiditeteve të siguruara nga Abramoviç, mbikëqyrja nga qeveria mund ta bëjë të pamundur lëvrimi e një shifre të tillë, sidomos pas lamtumirës të sponsorëve kryesorë nga londinezët.

Nëse këto pagesa nuk kryhen, klubi rrezikon si fillim që të penalizohet me 9 pikë në tabelën e renditjes e kjo do të vinte në rrezik kualifikimin në Ligën e Kampioneve. Përveç kësaj, janë edhe pagesat që u duhen bërë palëve të treta, ku spikat ajo ndaj Interit për Romelu Lukakun.

Është mësuar se klubi i ka ende 71 milionë paund borxh Interit, që duhej ta paguante me këste. Mospagesa në kohë sjell penalitete deri në kthimin e lojtarit në klubin e origjinës.

Edhe pse në fakt nuk do të ishte Interi pronari direkt i Lukakut, pasi nëpërmjet një fondi kredie, ka marrë paradhënie të gjithë shumën që i detyrohet Çelsi dhe më pas klubi londinez do ia kalonte këtij fondi financiar pjesën e mbetur.

Nëse londinezët nuk paguajnë, gjithsesi sistemi domino do të përfundonte me kthimin në Milano të Lukakut. Një veprim i cili në mënyrë direkte i jep hapësira Armando Brojës te blutë. Këta të fundit nuk mund të bëjnë merkato në hyrje dhe dalje, por mund të kthejnë lojtarët nga huazimi.

Me largimin e Lukakut, Broja do të ishte alternativa e parë e Timo Verner në sulmin e bluve dhe me formën e dobët që po kalon gjermani, do të kishte padyshim hapësira në radhët e Çelsit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb