Kuvendi i 18 dhjetorit, i thirrur nga Kryesia e PD-së, përveçse pa asnjë cen nga pikëpamja ligjore statusore, ka një avantazh tjetër të madh në krahasim me atë të thirrur nga Berisha më 11 dhjetor: Ai është një Kuvend gjithëpërfshirës i delegatëve që kanë firmosur formularin e Berishës dhe i delegatëve që nuk kanë firmosur.

Ndërkohë që Kuvendi i 11 dhjetorit është vetëm i atyre që kanë firmosur, të cilët, nëse janë shumicë, i kanë të gjitha mundësitë të diktojnë rendin e ditës në Kuvendin gjithëpërfshirës.

Pas mbledhjes së firmave, duke përdorur nga një foltore në tjetrën opsione të lëvizshme me qëllim tërheqjen e sa më shumë pakënaqësive me Bashën dhe mbjelljen e sa më shumë iluzioneve për të ardhmen, Berisha ka ndjekur qartazi një rrugë antistatuore për t’i shkuar në fund asaj që ka ndërmend. Asnjë prej juristëve demokratë që e mbështesin Foltoren e tij nuk kanë arritur të bindin njeri për të kundërtën. Sa herë kanë “bërë gabimin” të shfletojnë nenet e statutit që rregullojnë futjen në procedurë ligjore të vullnetit të një të katërtës së delegatëve, kanë zënë në thua, kanë bërë autogola. Në këto kushte, në vend të funksioneve dhe forumeve ligjore konkrete nëpër të cilat kalon legjitimimi i Kuvendit në një parti që funksionon prej tridhjetë vjetësh konform ligjeve të shtetit, janë detyruar apo e kanë bërë zakon të referojnë “anëtarësinë”, a thua se anëtarësia flet si në kor! Edhe kur mblidhen për të themeluar një parti të re, anëtarësia themeluese flet dhe organizohet përmes dikujt që ka tagrin e nismëtarit apo një grupi përfaqësues të zgjedhur aty për aty. Kur partia është e themeluar me kohë, Kuvendi organizohet sipas rregullave të shkruara e të regjistruara. Çdo rrugë tjetër jashtë këtyre rregullave është puç institucional.

Sidoqoftë, pavarësisht se firmat e mbledhura nga Berisha nuk u verifikuan në rrugë statusore dhe askush jashtë verifikimit zyrtar nuk mund të flasë me kompetencë për numrin dhe rregullsinë e tyre, merret e mirëqenë se ka një vullnet të një numri të konsiderueshëm delegatësh për të mbledhur një Kuvend të Jashtëzakonshëm.

Kuvendi i 18 dhjetorit e reflekton këtë vullnet. Ky Kuvend nuk do të ishte thirrur nëse nuk do të ekzistonte një vullnet i shprehur në Foltoret e zotit Berisha përgjatë me shumë se dy muajsh.

Gjatë këtyre muajve e javëve, njerëzit e Berishës kanë qenë tërë kohës në terren me formularë nëpër duar. Vetëm ata, me fushën bosh, pa asnjë angazhim të njerëzve të Bashës, duke kërkuar firma në takime kokë me kokë me delegatët, duke bërë punë bindëse me shumë prej tyre, duke përdorur format e njohjes miqësore, e tjerë e tjerë-të gjitha këto legjitime si rrugë. Por edhe duke falsifikuar firma andej-këndej. Disa raste janë denoncuar nga vetë personat. Përmasat reale të fenomenit mbeten të panjohura sa kohë që nuk pati një verifikim institucional të firmave.

Në terren, për të mbledhur firma për thirrjen e Kuvendit të PD-së, kanë dalë edhe individë të afishuar egër kundër PD-së deri dje, të shpallur apo të paralajmëruar për t’u shpallur non gratta nga SHBA. PD i ka akuzuar me emër. Reagimet e Berishës për këto akuza konkrete shumë të rënda kanë qenë sa për të larë gojën. Angazhimi i tyre flet qartë për atë që të shpallurit non gratta, ata që kanë informacion se janë në listë, por nuk janë shpallur akoma dhe ata që e shohin veten kandidatë për t’u shpallur sepse e dinë çfarë kanë bëre, janë të bashkuar në qëllimin e përbashkët për zhvlerësimin dhe ridikulizimin e instrumentit non gratta të SHBA, duke shkuar me mendimin se po ia doli Berisha, ia kemi dalë të gjithë.

Nën gjithë këtë trysni të shumanshme, të ligjshme e të paligjshme, ngjarja e vërtetë apo po të huazojmë një epitet të zotit Berisha, heronjtë e vërtetë të sulmit pa kundërshtarë të Foltores dhe forcave të errëta për të mbledhur firma janë ata që nuk kanë firmosur.

Nga një anë është për t’u habitur që aq shumë anëtarë të Kuvendit të PD-së në qytete dhe fshatra, në qendër dhe në periferi, pa asnjë kërkesë, udhëzim a kontakt nga Basha me shokë, të lënë vetëm prej tyre në njëfarë mënyre, duke qenë tërë kohës nën thirrjen, joshjen apo trysninë e kërkesave për firmë nga njerëzit e Berishës dhe duke qenë jo rrallë nishane të gjuhës linçuese të pararojës berishiste të rrjeteve që janë formuar mendërisht vetëm për të demonizuar ata që mendojnë ndryshe dhe nuk e njohin argumentin si mjet në komunikim, përsëri nuk kanë firmosur.

Ata kanë thënë “jo” kur u kërkohej të thoshin vetëm “po” dhe kur “jo”-në nuk ua kërkonte kurrkush nga selia. Ata e kanë refuzuar Kuvendin e Berishës.

Unë e di se njerëz të lirë ka plot mes delegatëve që kanë firmosur për arsye të ndryshme, por ata që i kanë thënë “Jo” fushatës berishiste pa kundërshtarë (jo për faj të Berishës kjo), janë vërtet njerëz të lirë e të fortë, siç duhet të jenë demokratët.

Arsyet janë të ndryshme, por sipas prononcimeve publike që po bëjnë së fundi shumë prej tyre arsyeja përbashkuese është ajo se përtej problematikave reale që ka PD në funksionimin e saj, ata e kanë parë lëvizjen e Berishës si lëvizje në thelb hakmarrëse ndaj Bashës dhe sfiduese ndaj SHBA që e kanë shpallur non gratta. Ata nuk duan t’i bashkohen mesazhit që do të jepte vetvetiu në fund të herës Kuvendi i datës 11 dhjetor për SHBA: Ju e shpallët non grata, ne e bëjnë kryetar! Komentet e një mesazhi të tillë janë të tepërta.

Jo se firmatarët janë të gjithë antiamerikanë. Shumë prej tyre nuk mendojnë këtë. Por ky do të ishte për fat të keq mesazhi që do të precipitonte në rrafshin e marrëdhënieve SHBA-PD nga ky Kuvend.

Fatal për PD-në që do të futej në kursin e zvogëlimit dhe largimit pa kthim drejt pushtetit si një parti e izoluar nga SHBA.

E pavolitshme për vetë zotin Berisha, problemin e të cilit mund ta afrontojë me shanse zgjidhjeje vetëm një PD fitimtare e mbështetur nga SHBA./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb