Nga: BRIKENA METAJ*
PERMET- Pas sagës së gjatë të largimit nga banesa të dy motrave Kajtazi, duket se një tjetër histori po përsëritet në Këlcyrë, ku personazh është një 18-vjeçare e cila prej 6 ditësh rezulton e zhdukur. Ngjarja ka ndodhur ditën e hënë, kur ashtu si për çdo ditë, Ruze Spahiu ka dalë në qytet rreth orës 10:00 të paradites për të bërë pazarin, por nuk është kthyer më në banesë. Mësohet se familjarët e adoleshentes kanë pritur kthimin e saj, ndërsa u janë dashur dy ditë para se të kryenin denoncimin në polici, pasi si fillim kanë kryer vetë kërkime. Të pashpresë, të alarmuar nga mungesa e së bijës dhe në pamundësi për ta gjetur vetë, prindërit e 18-vjeçares kanë bërë kallëzimin e më pas kanë kërkuar ndihmë edhe në media. Burime nga Policia e Përmetit bënë me dije se, pasi janë njohur me rastin, janë vënë në kërkim të Ruze Spahiut.
ALUDIMET MBI LARGIMIN
E fejuar prej dy vitesh, Ruze Spahiu ishte shumë pranë ditës së martesës, pasi prindërit i kishin caktuar dhe datën e dasmës, pikërisht 10 tetorin. I fejuari i adoleshentes duket se ka qenë po aq i papërgatitur për largimin e saj, ashtu sikur dhe familjarët. Burime konfidenciale pranë grupit hetimor të çështjes pohuan se vajza dyshohet të ketë pasur mosmarrëveshje me prindërit e saj për martesën me të fejuarin. Sakaq, këto burime pohojnë për “Gazeta Shqiptare”, se një lidhje tjetër dashurie duket se mund të jetë shkaku i largimit të 18-vjeçares nga banesa. Ndërkaq, mësohet se gjatë deklarimit të tyre në polici, prindërit e vajzës kanë qenë mjaft diskretë, ndërsa kanë pohuar se ajo dhe mund të jetë rrëmbyer. E vetmja gjë që prindërit e Ruzes kanë kërkuar është kthimi i saj në familje. “Nuk dimë asnjë gjë. I lutem personit që e ka rrëmbyer, apo edhe nëse vajza ka ikur me dashje apo pa dashje, ta kthejë sa më parë”, – ka pohuar babai i vajzës së zhdukur.
DITELINDJA
Ditën e djeshme Ruze Spahiu ka festuar ditëlindjen e saj të 18-të, larg familjes. Ajo nuk i kishte mbushur ende kur u largua nga banesa më datë 26 gusht të këtij viti, ndërsa prindërit e saj fikën qirinjtë e tortës në mungesë të saj. Me sytë e përlotur e plot ankth, babai i saj u ka bërë apel për ndihmë të gjitha strukturave shtetërore që të ndihmojnë në gjetjen e vajzës së tij. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai ka treguar herën e fundit që ka parë vajzën e tij të dalë nga shtëpia, ndërsa nuk ka përjashtuar faktin se ajo mund të jetë rrëmbyer nga dikush apo edhe të jetë larguar me dëshirë.
Kur e keni parë për herë të fundit vajzën tuaj?
Vajza, ditën e hënë, si zakonisht doli nga shtëpia pasi do shkonte të blinte ushqime. Mbaj mend se ishte ora 10:00 kur ajo doli, por që nga ajo kohë nuk u kthye më në banesë.
Kur nisët të shqetësoheshit për mungesën e saj?
Ne ishim në pritje të saj, pasi mendonim se nuk do të vonohej, por ajo nuk erdhi. Pasi e kërkuam për rreth dy ditë, të merakosur, iu drejtuam Policisë së Përmetit dhe aty bëmë denoncimin për zhdukjen e saj. Po bëjmë 5 ditë që jemi në pritje të saj, pasi nuk ka asnjë gjurmë. Jemi në pritje të policisë që të më gjejë vajzën. Ndaj bëjmë apel që të na ndihmoni që bija jonë të kthehet në shtëpi.
Ju si mendoni, çfarë mund t’i ketë ndodhur vajzës suaj?
Nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur. Por unë dua vetëm që ajo të kthehet në shtëpi. Personi që mund ta ketë rrëmbyer, dua që ta rikthejë në banesë, apo dhe dikush me të cilin ajo mund të ketë ikur me dëshirë. Ne jemi në ankth e pritje për rikthimin e saj. Kemi 5 ditë që nuk vëmë gjumë në sy.
Cili është apeli juaj?
Ju lutemi, kush e ka parë të na ndihmojë, të japë informacione e vajza të na kthehet në shtëpi. I lutem ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, që të më ndihmojë me rastin e vajzës sime.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb