NGA JETON SELIMI*

Të enjten në mbrëmje tifozët anembanë botës do të mësojnë emrin e finalistes së parë të “Euro 2016”, skuadër që do të dalë nga çifti Uells-Portugali.

Të dyja Kombëtaret kanë ecuri të ndryshme në këtë turne. Garth Bejl me shokë kanë dhuruar paraqitje mbresë-lënëse si në fazën e grupeve, ashtu edhe në atë me eliminim direkt. Pasi kaluan jo pa vështirësi Irlandën e Veriut, të besuarit e Kolemanit u ndeshën me një nga favoritët e këtij turneu, përfaqësueses që renditet e dyta në ranglistën e FIFA-s, Belgjikën.

Parashikimet ishin të zymta për Uellsin, por përfaqësuesja e vogël britanike arriti t’i tejkalojë ato. Një 3-1 bindës, me përmbysje ndaj “djajve të kuq” është kartëvizita më e mirë për ta në përballjen me Portugalinë. Luzitanët e Ronaldos kanë arritur me shumë vuajtje deri në gjysmëfinale.

Mjafton të kujtojmë se nuk kanë fituar asnjë ndeshje në këtë Europian dhe se në fazën me eliminim kanë kaluar vetëm pas shortit të penalltive. A do jetë ky momenti që Portugalia të bindë? Kjo mbetet për t’u parë.

Gjysmëfinalja tjetër është një ndeshje e cila ngjall emocion te të gjithë sportdashësit. Gjermani-Francë përmbledh në vetvete traditën dhe rivalitetin, ndaj të premten në orën 21:00 askush nuk duhet ta humbë këtë përballje.

Gjermania arriti në gjysmëfinale pasi eliminoi me vështirësi Italinë. U desh ruleta e penalltive, por kur mendon se “pancerat” kishin pritur gjithë jetën për të thyer të kaltrit në një turne madhor, atëherë ka vend për të festuar.

Lëvi tashmë, me mungesën e Khedirës dhe Humelsit, duhet të mendojë seriozisht për të ndalur Francën, që pas triumfit spektakolar ndaj Islandës, ka frikësuar rivalët. 5-2 fituan “gjelat” ndaj Kombëtares së surprizave, duke vendosur dhe një rekord absolut në historinë e europianëve: shënuan 4 gola që në pjesën e parë.

Tjetër armë për Deshampin është edhe golashënuesi më i mirë i turneut: Antuan Grizman, me 4 gola, po bëhet gjithnjë e më shumë lider i skuadrës së tij.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: