Prestige B nuk ia ka dalë që të sigurojë një vend mes 8 ekipeve më të mira të Tiranës në kampionatin “5×5” që organizon Federata Shqiptare e Futbollit.

Në takimin e parë të “play off”- it, Prestige B u mund dje me rezultatin 3-4 nga ATS-ja, në një ndeshje të luftuar deri në sekondën e fundit.

Ndonëse dy herë në avantazh të dyfishtë, minutat finale të ndeshjes rezultuan fatale për Prestige B, që nuk arriti ta ruante epërsinë, ndërsa ekipi ATS përfitoi mjaft mirë duke realizuar përmbysjen.

NDESHJA – Prestige B e filloi me gol, teksa i zhbllokoi shifrat që në start, me Skënderin, i cili devijoi saktë në portë një top të gjatë nga portieri Kasa.

Në fundin e pjesës së parë Vasha realizoi golin e dytë për Prestige B, duke shfrytëzuar më së miri një inkursion të bukur nga Ismaili.

Në fillimin e pjesës së dytë, ATS shënon me Voglin, i cili gjuan fluturimthi pas një topi të marrë nga këndorja, duke e dërguar sferën në rrjetë.

Por Prestige B kundërpërgjigjet me Xhaferin, i cili shkarkon një të djathtë potente, duke i dërguar shifrat në 3-1. Filaj me një të majtë nga distanca ngushtoi në 3-2 për ATS-në. Në 5 minutat e fundit ATS realizon dy herë duke bërë edhe përmbysjen.

Dy asiste nga Filaj për Lecin, me këtë të fundit që kompleton dopietën personale, duke i dhënë skuadrës së tij suksesin 3-4.

Kujtojmë se Prestige këtë edicion përfaqësohet me dy skuadra në kampionatin “5×5”. Ekipi i parë do të zbresë në fushë mbrëmjen e nesërme, teksa në orën 20:00 do të përballet me Novën, takim i vlefshëm për raundin 1/8.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb