Dy shtetas libanezë janë qëlluar për vdekje nga sulmues të panjohur nga të shtënat me armë zjarri në kryeqytetin iranian Teheran, incident i përshkruar si i rrallë.

Sipas mediave lokale, një baba dhe vajza e tij u qëlluan nga sulmues të armatosur nga një motoçikletë në veri të lagjes Pasdaran të Teheranit.

Agjencia gjysmë zyrtare iraniane e lajmeve “Fars” identifikoi viktimat si Habib Davoodi dhe Maryam Davoodi, të dy shtetas libanezë, folës të gjuhës arabe.

Shumë përdorues të mediave sociale thanë se të shtënat ndodhën pranë shtëpisë në Teheran të komandantit të vrarë të milicisë irakiane, Abu Mahdi al-Muhandis, i cili u vra në Bagdad së bashku me gjeneralin e lartë iranian, Qassem Soleimani.

Dëshmitarët okularë dhe banorët thanë se të dy viktimat u gjetën të vdekur brenda makinës së tyre. Sulmuesit kishin qëlluar katër plumba drejt tyre, ndërsa një plumb goditi një makinë aty pranë.

Banorët e lagjes thanë se sulmuesit përdorën zhurmëmbytës për të shmangur rrëmujën dhe menjëherë u larguan nga një rrugicë e ngushtë afër vendit të incidentit.

Policia në Teheran ende nuk është prononcuar për incidentin, por një hetim mbi të është nisur.

Ndërkohë, pati spekulime të shumta në mediat sociale se dy viktimat ishin të lidhur me grupin Hezbollah të Libanit dhe se ata kishin shkuar për të takuar familjen e komandantit të vrarë al-Muhandis.

Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nga autoritetet për identitetin e viktimave dhe motivin e sulmit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb