Nga REZARTA DELISULA*

Ai është një burrë energjik, që flet qetë e nuk shan, edhe pse jeta e ka përballur me lloj-lloj sfidash. Sot, në 24-vjetorin e një momenti kyç në historinë e Shqipërisë, ku ai ka qenë aktor kryesor, ka vendosur të ndërmarrë një veprim kurajoz. Njeriu që i vuri lakun te dora e pasme monumentit të Enver Hoxhës, Astrit Hatellari, ka vendosur të dorëzojë në Presidencë medaljen “Pishtar i Demokracisë”, sepse kjo nuk ishte Shqipëria që ai e shokët e tij ëndërronin. Po kush është 56-vjeçari dhe historia reale e rrëzimit të simbolit, që u pasua me një sërë ngjarjesh të rëndësishme për shqiptarët.

Në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare”, do na rikthehen ndër mend histori, personazhe, ëndrra e zhgënjime, por padyshim edhe nota optimizmi që sigurisht kanë më vlerë në gojën e dikujt që ka humbur gjithçka, në gojën e Astrit Hatellarit.

Astrit, ju jeni dekoruar me urdhrin “Pishtar i demokracisë” nga Presidenti Republikës dhe sot, pas kaq vitesh keni vendosur ta ktheni përsëri dekoratën, pse?

Në këtë dekadën e fundit, dhënia e medaljeve dekoratave është zhvlerësuar deri në skajin më të fundit të mosvlerësimit të vlerave të vërteta, ndaj nuk dua të bëj pjesë në të njëjtat lista. E ndjej ta bëj këtë hap, të jem pak qytetar. Dikush do ta bëjë.

Ku ke lindur, nga vjen?

Kam lindur në Skrapar më 2 maj 1959, në një familje mesatare. Kam ikur tre vjeç prej andej, por tiparet e mia e natyra i përkasin vendit tim të lindjes. Jam krenar për origjinën time. Skraparin e njoh mirë, me pëllëmbë dhe e dua atë vend.

Ke shtëpi atje, toka?

Toka kemi, por as i kemi marrë, ua kemi lënë të tjerëve.

Po mamaja juaj nga e ka origjinën?

Nga babai jemi nga Korita po dhe nënën e kam po prapë nga Gramshi i Skraparit, një qytezë e dikurshme me një nga xhamitë më të mëdha në Evropë, skicuar nga arkitekt Kasemi.

Pse u shpërngulët në Tiranë?

Babai im ka qenë ushtarak dhe u transferua në Tiranë. Pastaj prej këtej u transferuam në Mamurras, sepse babait i ndodhi një incident, gjysmë internimi.

Çfarë incidenti?

Pati një përplasje me dy gjeneralë, ata e fyen dhe ky i zhveshi lakuriq.

Kush ishin ata?

Nuk i kujtoj, kam qenë farë i vogël atëherë.

Babain e zhveshën nga detyra?

Po, në Mamurras nuk ishte më ushtarak, por pas disa kohësh e rehabilituan dhe e kthyen sërish në Tiranë.

Ju çfarë shkolle keni bërë?

Kam bërë ekonomikun natën dhe kam punuar në disa ndërmarrje të Tiranës, por 10-vjeçarin e fundit kam punuar me tregti.

Flitet shumë për atë historinë e hedhjes së bustit, por unë dua të di si u bëre ti antiqeveri, antikomunist?

Revolta brenda meje lindi herët. Unë kam pasur shumë talent në pikturë e klasën e 8 e bëra në Skrapar për të kapur një mesatare të mirë, pasi atëherë shkolla fitohej me konkurs e mesatare. U gëzova jashtë mase kur më thanë që kisha dalë i katërti, por kur shkuam për të parë listat, emri im ishte shortuar i 70-ti. Ëndrra m’u ndërpre në mes, më prenë hovin. Më pas, shihnim njerëz intelektualë në një lagje, në një pallat, që s’kishin bukë për të ngrënë, që kishin shkelur dikur në kallo pushtetin e s’na linim t’i përshëndesnim, quheshin armiq… Duke u rritur kuptuam se socializmi nuk ishte siç na e kishin mësuar. Tirana ziente, kishte ritëm, këndvështrime të ndryshme, gjallëri, muzikë, ndryshe nga qytetet e tjera. Unë kisha shumë shoqëri të ndryshme e ndjehesha mirë.

Po kur vdiq Enveri ku ishit?

Kur vdiq Enveri brenda shoqërisë sonë ishte konsoliduar ideja antipushtet dhe kemi një histori të bukur atë ditë. Mund t’ju duket çudi, por shoqëri të ndryshme flisnin kundra regjimit. A kishim frikë?
Sigurisht që po, por ishim të rinj e mendonim ndryshe. Në ishim katër shokë, ishim te “Progresi”. Ishte vendi ynë, atje shkonim shfryheshim, pinim, deheshim. Njerëz nuk shihje vërdallë, nxitonin të iknin nëpër shtëpi. Fytyrat ishin të përlotura. Ne u ulëm, porositëm e normalisht atë ditë grupi i muzikantëve nuk luante muzikë. U dhamë muzikantëve 30 mijë lekë dhe i thamë; luani për ne. Ata të shkretët morën lekët e luanin gjithë frikë. Një polic që kaloi aty në vend që të na bënte ndonjë gjë, iku, ka menduar se jemi të çmendur.

Po thua 30 mijë lekë, shumë në atë kohë. I bie të kesh bërë ndonjë lek nga tregtia?

Po përlanim ndonjë gjë. Të gjithë merrnin, ai te biçikletat ndonjë timon, ai te pularia vezë… Të gjithë vidhnin, prandaj ai sistem nuk bënte, sepse i mësoi të gjithë hajdutë. Por ky popull nuk ishte hajdut, ishte nevojtar. Pas ’91 nuk di t’i kem prekur njeriut as kaq (tregon majën e gishtit), s’i kam kujt borxh. Po ai sistem ashtu të bënte, të keq, të poshtër, t’i shërbeje atij. Pra, kështu u rritëm sa erdhi ’91. Në atë kohë unë isha 32 vjeç i martuar me dy fëmijë, në gjendje të mirë ekonomike. Por dikush pranë meje s’kishte bukë të hante. Ne rrinim të gjithë grup e pamundësia e të tjerëve më brente e që atëherë fillova të isha pjesë aktive e grupimeve anti-regjim që nga ambasadat, te “mintigu heshtur” e në vijim.

Çfarë është “mitingu i heshtur”?

Grupe të caktuara, intelektualësh dhe çunash të hedhur hapën fjalën se më 28 janar do të mblidheshim te sheshi “Skënderbej”. Sigurisht jo në formë proteste, por në formë xhiroje. Më 28 janar u mblodhën rreth 800-100 vetë në shesh, e kjo për ne ishte shumë, pra po shihnim masivitet. E lamë të rimblidheshim sërish më 14 shkurt. Në atë kohë pak e dinin që ajo datë simbolizonte festën e të dashuruarve. Atë ditë u mblodhën rreth 5 mijë vetë, ndërsa rreth 800 u ulën te shkallët e pallatit të kulturës, me fëmijë, me familje. Aty ndodhi dhe një incident. Një polic kapi për leckash një fëmijë që këputi një lule. E kapi në formë presioni dhe unë u irritova e ndërhyra. Atë ditë kam ikur i fundit nga sheshi, ika pasi u largua qytetari i fundit. Ajo ishte një protestë paqësore, një tubim qytetar, ai tubim tregoi se koha kishte ardhur.

Si filloi dita e 20 shkurtit për ty?

Unë kisha tri ditë që rrija te studentët. Meqë punoja në tregti, i kisha ato kushte e me vete kisha marrë një rrotë djathi, 3-4 kile sallam, me bukë e ujë, e flija atje për t’u dhënë bukë studentëve të ngujuar.

Bukë, po sikur ata ishin në grevë urie?

Hajshin për bukuri, i kam dhënë bukë me këto duar, s’kam pse gënjej. Më datë 20, protestës studentore iu bashkuan të gjitha ndërmarrjet e Tiranës, erdhën nga Kavaja, Durrësi e Shkodra. Kur foli Rajmonda Bulku në Qytetin Studenti bëri thirrje që të shkonim drejt sheshit. Ne s’kishim skenar, thjesht u nisëm. Te liceu ishte përballja e parë me policinë, e cila filloi spërkatjen, por ne ishim të vendosur. Unë isha në vijën e parë. Ushtarët i puthnim e u thoshim që s’kishim gjë me ta e që ata s’kishin faj. Vijuam rrugën. Kishim një mëdyshje, o do të hynim në Bllokun e udhëheqjes, o në shesh. Jam i lumtur që nuk hymë në Bllok se do ishte bërë hataja, do ishin vrarë njerëz dhe sot po të më pyesësh, mendoj njësoj. Asgjë s’do kishin fituar njerëzit më shumë se kaq. Më mirë që Tirana tregoi kulturë edhe në revoltë. Ne duhej të hiqnim hijen, hijen e Enverit.

Po në shesh çfarë ndodhi?

Filluan të vinin njerëz edhe nga shtëpitë. Lajmi u përhap. I vetmi që shoqëronte turmën dhe bënte thirrje për ruajtjen e qetësisë ka qenë Neritan Ceka. Një grup çunash u shkëputën nga turma, u mbështetëm te busti e filluam me kurriz ta shtynim. Ai u lëkund, por nuk ra. Bëmë disa tentativa. Ishim rreth 30-40 vetë. Ai bust na zinte dritën. Nga Rruga Kavajës po vinte një makinë, ‘Ifë’ më duket. Shoferi i shkretë na tha se donte të shkonte në punë, por pastaj u solidarizua me ne. Na dha një litar e ne u afruam për ta lidhur nga qafa. Me ato përmasa që kishte busti, s’mund ta kishim të lehtë. Aty e provuan disa vetë të hipnin, por një shok i im më tha që si më i shkathëti, duhej të hipja unë sipër monumentit e ta lidhja. Sigurisht që nuk ngurova. Hipa te dora mbrapa. Kishte aq vend aty sa mund të “flije gjumë”. Provova t’ia hedh lakun në qafë. Nuk arrita. Nga vendi ku isha unë, ajo ishte lart 3-4 metra. Nja 7 minuta tentova ta bëja, por nuk munda. Pastaj e lidha te dora. Gruan e fëmijët i kisha në shesh. Ishte edhe motra ime. Ajo më gërthiste: Do të të vrasin! Aty hodha vështrimin përqark e pashë snajpera kudo, te bashkia, pallati kulturës, te pallati pas bankës, te muzeu… Një moment u stepa, por s’ishte më punë frike. Ajo situatë ndodh një herë në shekull. Pasi litarin ia lidha te dora, e tërhoqëm po u shkëput, e kjo punë ndodhi disa herë. Ndërkaq, populli mbante larg me gurë policinë. Më në fund makina e tërhoqi e busti ra. Kaq ishte. Kur e pashë në tokë, iu afrova e doja ta shihja nga afër.

Pse?

Ditën që u montua busti më 1988, u dha urdhër që asnjë makinë të mos kalonte në shesh dhe unë isha i vetmi shofer që kalova, sepse do çoja furnizimin me bukë të “Shallvaret”. Unë e pashë duke u montuar e u afrova ta shihja të rrëzuar, për të parë se çfarë kishte brenda.

E çfarë kishte?

Asgjë fare. Ishte një pllakë një 10 cantim që kishte katër vida e dy shina. Ne e lëkundëm bustin me shpinë që aty, pra bazamenti ishte i lehtë, ai ra nga lëkundja, nga pesha e vet. Ai që e bëri s’e mendoi që një bust aq i lartë duhej të kishte bazament të madh e të fortë, po ata njerëz i prodhoi ai vetë.

Shumë dalin e marrin merita për hedhjen e bustit, në fakt ti the që ishin rreth 40 vetë aktorët kryesorë që morën pjesë në hedhjen e bustit. Mban mend emra?

Si nuk i mbaj?! Kryesori ndër të gjithë, që pa atë s’do kishte ndodhur asgjë ishte Agron Spaho dhe vëllai i tij.

Sot çfarë bën Agroni?

Sheh punën e vet, njeri i thjeshtë, siç janë njerëzit që bëjnë gjëra të mëdha, as shpërblehen, as kërkojnë asgjë. Ndërsa i vëllai është sëmurë si pasojë e atij presioni të tmerrshëm.

Ju thatë që ishit mirë nga gjendja ekonomike, pse e bëtë atë veprim?

Buka nuk hahet vetëm, nuk jetohet vetëm. Të gjithë ishin të rënduar, nuk e dinin më se çfarë besonin, nuk mendonin. Ai sistem na ka sjellë vetëm të këqija, por sot ka ende njerëz që flasin pro atij sistemi. Ka njerëz me lekë që thonë sa mirë ishin

“NUK ENDERROVA KETE SHQIPERI: DO TA KTHEJ TITULLIN”

Astrit Hatellari, i dekoruar më 20 shkurt 2009 nga ish-Presidenti Bamir Topi, për kontributin e vyer në rrëzimin e regjimit komunist, ka vendosur të dorëzojë medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Më poshtë po botojmë të plotë motivacionin e njeriut që 24 vjet më parë ishte aktori kryesor në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës.

SEKRETARISE SE PRESIDENCES SE REPUBLIKES SE SHQIPERISE
TIRANE

Për dijeni: PRESIDENTIT TE REPUBLIKES, ZOTIT BUJAR NISHANI

Tiranë, më 19 shkurt 2015

I nderuar Zoti President, të nderuar Zotërinj të Presidencës.

Unë që po ju shkruaj quhem Astrit Hatellari, banues në Tiranë dhe mbajtës i dekoratës së respektuar “Pishtar i Demokracisë”. Kjo dekoratë m’u akordua nga Presidenti i atëhershëm, Zoti Bamir Topi, si vlerësim për aktivitetin tim në favor të demokracisë dhe pluralizmit para, përgjatë dhe pas rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë.

Pas një refkleksioni të gjatë bashkë me këtë letër kam vendosur që tua rikthej titullin në fjalë. Motivi për këtë akt është i shumëllojshëm.

Më e para nga të gjitha nuk ishte kjo Shqipëria që unë dhe shokët e mi ëndërruam në atë periudhë të egër dhe të rrezikshme. Shqipëria që po jetojmë sot përditë është ajo e inatit dhe jo e dashurisë, e antivlerave dhe jo e vlerave, e mungesës së shpresës dhe jo ajo e optimizmit, e heronjve të stisur dhe jo e njerëzve të vërtetë.

Së dyti, sidomos në këtë dekadën e fundit, dhënia e medaljeve, dekoratave, çmimeve, mirënjohjeve të tjera është zhvlerësuar deri në skajin më të fundit të mosvlerësimit të vlerave të vërteta. Nuk ka se përse dhe as që nuk dua që të bëj pjesë në të njëjtat lista me emra që nuk i thonë popullit, dëshmitarit të vërtetë, asgjë.

Së treti, në lidhje me autorësinë e vërtetë të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në Tiranë, prej kohësh ka nisur një garë prej njerëzish gjysmëanonimë, që po mundohen të shtrembërojnë të vërtetën me çdo mjet. Në këto mjete përfshihet edhe shpifja dhe denigrimi personal. Vullneti im për të mos u bërë pjesë e asnjë loje të mbrapshtë më shtyn gjithashtu në kthimin e titullit. Aktin që kreva e bëra me vetëdije të plotë se po i shërbej vendit tim dhe aspak për të marrë dekorata.

Të nderuar Zotërinj,
Duke falenderuar edhe një herë thellësisht ish-Presidentin Topi për vlerësimin e veçantë që më bëri, duke falenderuar edhe miqtë e medias për kontributin e tyre në thënien e së vërtetës, deklaroj se e marr këtë hap me kthjelltësi, i pandikuar nga askush dhe pa asnjë lloj pasioni politik. Çdo tendencë për ta parë këtë hap timin si me përmbajtje politike, apo më keq akoma, si një tentativë për të sulmuar apo akuzuar ndonjë person publik, apo ndonjë institucion të shtetit, nuk bën gjë tjetër veçse e shton vargun e gënjeshtrave që kanë mbuluar këtë vend.

Ndahem me respektin më të lartë për institucionin e Presidencës dhe për Zotin President personalisht, duke ju uruar njëkohësisht edhe punë sa më të mbarë.

Me shumë respekt, Astrit Hatellari

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb