Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ishte sot para Gjykatës së Tiranës, për të dhënë shpjegimet e tij lidhur me çështjen “Babalja”, për të cilën ai akuzohet për kallëzim të rremë.

Jashtë dyerve të Prokurorisë, ish-deputeti Salianji iu është përgjigjur dhe akuzave të Fredi Alizotit, i cili ka thënë më parë se do të merrte 200 mijë euro nga Salianji për të regjistruar zërin e Agron Xhafajt, të cilat do t’i ndante me Albert Veliun, njeriun kyç të “Babales”.

Salianji deklaroi se Alizoti ka filluar të flasë për para të premtuara në momentin kur ka komunikuar me një numër, që rezulton të jetë i kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

“Ajo që duhet theksuar për publikun është se nga kjo çështje një trafik shkoi direkt për të vuajtur dënimin, ish-ministri i Brendshëm u largua nga detyra dhe një prokuror që është marrë me falsifikimin e kësaj çështjeje u largua si i padenjë nga Vettingu. Sot ishte e re se vazhdohet insistimi nga Rama, përmes një dëshmitari të falsifikuar, trafikant edhe ky i dënuar. Shumë të tjerë i ka ngritur në nivel kryebashkiakësh, ministrash, këtë po e përdor për një rol tjetër. Siç vërtetohet nga gjithë dokumentacioni nuk ka asnjë komunikim të vetëm timin me këtë person, nuk e njoh as unë dhe asnjë mik rreth meje.

Ky ka filluar të flasë për para të premtuara në momentin që ka komunikuar, apo të paktën në tabulate duket se ka pas thirrje drejt një numri, që i përket kreut të grupit të PS, Taulant Balla. Mbas saj është regjistruar shtetasi Fredi Alizoti, duke thënë se i janë premtuar para nga PS”, tha Salianji.

Pyetjes nëse ka frikë nga ky proces, ish-deputeti i është përgjigjur: “Nuk kam asnjë shqetësim, sot kam ardhur në gjykatë për interes të publikut. Ky nuk është një gjyq për të cilin unë nuk kam asnjë interes dhe nuk më intereson vendimi. E rëndësishme është se publiku ka marrë të gjithë elementët e duhur për të bërë vetë ndarjen. Për mua nuk, është as frikë, as merak, do vazhdoj me të njëjtin intensitet”.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb