Rreth 200 njerëz u evakuuan nga një kamp ku strehoheshin qindra punëtorë migrantë në Spanjë pasi një zjarr përfshiu vendin.

Zjarri në kampin El Walili, i vendosur në rajonin juglindor spanjoll të Almerias, ndodhi në të njëjtën ditë kur kampi supozohej të shkatërrohej pas një urdhri nga këshilli i qytetit të Nijar. Një urdhër gjykate për prishjen e kampit thoshte se strukturat atje ishin të rrënuara dhe të ndërtuara pa leje.

Nuk dihet se si filloi zjarri. Thirrjet drejtuar autoriteteve lokale mbetën pa përgjigje.

Shumica e banorëve të kampit ishin burra nga Afrika Sub-Sahariane dhe Maroku, që punonin në fermat e shumta në zonë. Së bashku me turizmin, bujqësia është burimi kryesor i të ardhurave për rajonin.

Kampi përbëhej nga qindra kasolle të ndërtuara rreth 15 vjet më parë dhe strehonin deri në 500 punëtorë migrantë. Shumë strehimore u ndërtuan nga e njëjta plastikë e përdorur në serat e fermave lokale dhe u mungonin ndonjë shërbim si energjia elektrike ose uji i rrjedhshëm.

Banorët e evakuuar u dërguan me autobus në një magazinë aty pranë ku i pritën punonjësit e bamirësisë. Rreth 60 persona kishin mbërritur në sallë deri të hënën pasdite.

Carmen Dominguez, presidente e degës lokale të organizatës Medecins du Monde, tha se kampi ishte menduar të ishte një strehim i përkohshëm ndërsa banesat e reja për punëtorët migrantë po ndërtoheshin.

Por një senegalez duke u larguar nga kampi tha se kishte jetuar në kamp për dy vjet.

“Tani të gjithë do të jenë në rrugë, jashtë tani që është shumë ftohtë, shumë ftohtë, kjo do të jetë shumë e vështirë,” tha burri, i cili e identifikoi veten si Abdulai.

Banorët dhe organizatat jofitimprurëse që punojnë me emigrantët i kishin kërkuar këshillit të qytetit të vononte dëbimin derisa të mbaronte dimri.

APDHA, një grup i të drejtave të njeriut që punon me migrantët në rajonin jugor të Andaluzisë, tha se autoritetet nuk kishin plane të përshtatshme për zhvendosjen e migrantëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb