Moti i keq ka penguar kërkimet për të mbijetuarit në qytetin brazilian Petropolis, katër ditë pas vërshimeve shkatërruese dhe rrëshqitjeve të dheut.

Ekipet e shpëtimit ndërprenë disa herë punën gjatë të shtunës, për shkak të shirave. Ata thanë se ka pak gjasa që të gjejnë të mbijetuar të tjerë.

Zyrtarët thonë se 146 persona kanë vdekur, përfshirë 27 fëmijë dhe të rinj, ndërkaq 191 persona konsiderohen të zhdukur.

Mbi 900 persona janë strehuar nëpër shkolla. Ekipet e shpëtimit po përdornin lopata për të gërmuar nën dhe, pasi për shkak të kushteve të këqija nuk po mund të përdorin makineri të tjera.

Në një prej lagjeve më të goditura të Petropolis janë dëmtuar 80 shtëpi.

Vërshimet nisën të martën pas reshjeve të mëdha të shiut, që pritet të vazhdojnë përgjatë shkurtit. Petropolis është një qytet i njohur turistik që gjendet në veri të Rio de Zhaneiro.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, të premten e shpalli këtë zonë si zonë të katastrofës dhe tha se qyteti ka përjetuar “shkatërrim të madh, dhe skena nga atje duken si skena lufte”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb