Gazetarët dhe ish-ambasadori amerikan në Tiranë Arvizu kanë folur në emisionin “Real Story” në “News 24” në lidhje me ngjarjen e bujshme të 21 janarit.

Bushati tha se beson se nuk ka vullnet politik për të zbardhur vrasjet, kurse Arvizu theksoi se Rama e Berisha e kanë përdorur politikisht ngjarjen.

ANDI BUSHATI:

Unë nuk besoj se ka një vullnet politik për ta zbardhur 21-janarin. Krahu i atyre që unë i konsideroj fajtor. Pra, pushteti i djeshëm i PD, natyrisht që nuk ështëi interesuar për t’i shkuar të vërtetës deri në fund, por nga ana tjetër, edhe socialistët që i kanë rekrutuar një pjesë të fajtorëve të 21-janarit, i kanë blerë, i kanë shndërruar në rilindas, nuk janë të interesuar t’i shkojnë deri në fund të vërtetës. Dhe në një vend ku edhe me reformën e re në drejtësi, drejtësia do jetë e varur nga politika, unë kam pak shpresë se 21-janari do zbardhet dhe juridikisht për atë që ne dimë dhe kemi kuptuar faktikisht.

MERO BAZE

Edi Rama ka formalisht të drejtë kur thotë që reforma në drejtësi është ajo që duhet të vendoste, por ajo qeveria duhet të bënte më shumë në këtë aspekt ishte presioni pozitiv me fakte mbi drejtësinë për të rihapur, për të gjetur precedent për rihapjen e kësaj cështje. Por që këtë gjë e ka në dorë drejtësia dhe jo qeveria, kjo është evidente, ne këtë gjë e dimë. Nuk do ta bëjë qeveria e Edi Ramës gjyqin e 21 janarit. Por cdo ministër i Brendshëm i Edi Ramës, cdo ministër i Mbrojtjes i Edi Ramës, cdo Ed Ramë në atë kryeministri në atë zyrë duhet të gjurmonin faktet të shtonin presionin mbi drejtësinë, të dorëzonin faktet, që të provonin se 21 janari ka qenë një gjë, një manipulim flagrant i fakteve, që provon vrasje, për arsye politike të protestuesve, që është një nga krimet e rënda në demokraci.

AGRON MALAJ

Kemi nje te akuzuar komandanti i Gardës së Republikës, edhe nga balistika doli që kish kryer një vepër penale. Ne u përdorëm për të humbur gjurmët si KURBAN.

SOKOL BALLA

…besoj prokuroria ka shumë veta të tjerë për të marrë, për të pyetur, për të intervistuar, për të prangosur dhe padyshim kanë punë edhe gjykatat për ti dënuar. Këtu u krijua ideja se me disa arrestime formale, disa dënime që më pas përfunduan falje, bile ca prej tyre që vranë iu falën edhe shtëpi më pas, iu bënë dhuratë apartamente, sot nuk e di fare cfarë ben Agim Llupo, por jam shumë i sigurt që nuk kalon shpesh para kryeministrisë sepse aty e presin shumë fantazma që presin shumë pyetje ndaj tij.

ANDI BUSHATI

Protestat e opozitës socialiste me 21-janar, me protestat që ka bërë sot opozita Demokratë Lsi-ste, ngjajnë në një pikë. Ngjajnë per faktin se vijnë si pasoje e një frustimi të madh që vjen nga lart. Këtu kur kryeministrat kalojnë disa vjet, e shndërrojnë pushtetin e tyre në regjim. Dhe opozita e kushdo qofshin, në të majtë apo në të djathte, nuk i ngelet arme tjetër, përveç protestave të dhunshme. Në këtë pikë, e vetmja gjë që ndryshojnë protestat e para 10 vjetëve me këto të sotmet, është mënyra se si i janë përgjigjur pushtetet. Dhe këtu duhet pranuar që pushteti i Berishës ka qenë më shumë proporcional dhe më i dhunshëm ndaj protestave që i janë bërë me dhunë përpara kryeministrisë.

MERO BAZE

Mendoj se 21 janari është nga ato ngjarje, pesha e së cilës, pra nëse peshën e 21 janarit e heq nga pesha e gjithë lëvizjes politike që kishte opozita, atë e dëmton rëndë. Pra është një ngjarje e rëndësishme e opozitës që natyrisht ndikon dhe në ardhjen ne pushtet në 2013.

ARVIZU

Berisha dhe Rama e përdorën 21 janarin, secili për qëllimet e veta, por dyshoj se ndonjëri prej tyre i arriti. Por ata janë liderë politikë dhe u duhet të përshtaten me rrethanat. iu desh të dyve, të përshtasin taktikat dhe strategjitë e tyre, sipas ngjarjeve që ndodhën

MERO BAZE

Po të isha si Lulzim Basha duhet të puthja vajzat në mëngjes dhe do të thoshte  shyqyr që i ka gjallë, për shkak se drejtësia nuk është vendosur akoma dhe ai po gëzon fëmijët e tij, kurse fëmijët e tyre të tjerëve, 8 fëmijë janë jetim. Tetë fëmijë janë jetim për shkak të tij. Sali Berisha duhet të bëjë të njëjtën gjë me fëmijët e vet, meqënëse e ka qejf Kanunin, kur nuk vendoset drejtësia.

ARVIZU

Shqipëria ka përjetuar momente të errëta në historinë e saj, dje dhe atë moderne. Shumë veta më kanë thënë se 21 janari është një ditë, që çdo shqiptar, 10 vjeç e sipër, do ta kujtojë si një ditë të zezë. Dhjetë vjet, duket kohë e gjatë, por në fakt nuk është. Me shkakton një ndjenjë të keqe kur kujtoj çfarë ndodhi dhjetë vjet më parë. Ndihem keq për të vrarët dhe familjet e tyre, të afërmit e tyre nuk do të kthehen kurrë më. Të lë një shije të keqe në gojë, dhe mësimi që duhet nxjerrë është se nuk mund ta lëmë të na ndodhë më kurrë sërish.

SOKOL BALLA

Sot jemi në 2021 BKH është ngritur, prokuroria speciale, Prokuroria e Përgjithshme, krimet e rënda, gjithcka është në funksion. Të gjithë ata që janë përmendur, që kanë qenë protagonistë, që kanë qenë ekzekutorë të ngjarjeve të 21 janarit janë gjallë. Mungojnë vetëm në apel, katër veta që kanë humbur jetën. Dhe mendoj që për këto katër veta dikush duhet të mbajë përgjegjësi penale.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb