TIRANE – Kur janë mbushur pesë vite nga ngjarjet tronditëse të 21 janarit, dosjet e vrasjes së Hekuran Dedës e Aleks Nikës, qëndrojnë të “pluhurosura” në sirtarët e prokurorisë. Pa autorë, pas kaq shumë kohësh, vazhdojnë të mbeten edhe plagosjet e shtatë demonstruesve.

I pyetur për këtë çështje, kryeprokurori Adriatik Llalla theksoi sot se prokuroria ka bërë të gjitha hetimet e duhura dhe se çështja është në proces.

Përgjatë këtyre viteve, drejtësia ka dhënë dy vendime fajësie. Ndrea Prendi, ish-shefi i Gardës së Republikës, u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit dhe dënua me vetëm 1 vit burg, për akuzën e vrasjes nga pakujdesia në dëm të demonstruesit Faik Myrtaj.

Majori Agim Llupo, u dënua për të njëjtën akuzë, me tri vite burg, për vrasjen e Ziver Veizit. Prokuroria këmbënguli në dy shkallët e gjyqësorit, për dënimin me 25 vite për majorin Llupo dhe 23 vite për ish-kryegardistin Prendi.

E ndërsa sot Llupo dhe Prendi janë në liri të plotë, Gjykata e Lartë prej dy tetorit 2013 mban “peng” në sirtarët e saj dosjen “21 janari”. Kolegji penal ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me këtë dosje, ndonëse janë të paktën dy familje që presin drejtësi, për jetët e humbura të të afërmve të tyre.

Demonstruesit Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika u vranë më 21 janar 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, teksa morën pjesën në demonstratën e opozitës së bashkuar të kohës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: