TIRANË- Është depozituar sot në Prokurorinë e Tiranës padia e Ministrisë së Punëve të Brendshme për kreun e PD-së, Lulzim Basha. Lajmi konfirmohet nga organi i akuzës, i cili pohon se tashmë ka mbërritur padia që ministri Saimir Tahiri e bëri të ditur në seancën parlamentare të së enjtes.

Tahiri akuzon Bashkën për “shpërdorim detyre”, në lidhje me ngjarjet e 21 janarit dhe protestën e opozitës, në kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Brendshme.

Tahiri tha dje se janë verifikuar dokumentet e mbajtura nga Garda e Republikës ku sipas tij janë bërë falsifikim si dhe janë dhënë urdhra në kundërshtim me ligjin nga Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha. Inspektimi në dokumentet e Gardës u bë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme, i cili hetoi procedurat e ndjekura në dokumentacionin për 21 janarin e vitit 2011.

Sipas kallëzimit të SHÇB-­së, edhe pse rezulton i shënuar nga operatori i Gardës urdhëri i dhënë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ora 16:28, “Komunikoni me gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë lakrimogjene mbi demonstruesit në Piramidë”, në bazë të dyshimeve të SHÇB-­së, para korrigjimit fjala “lakrimogjenë” thuhet se ka qenë “homogjenë”. Në dokument duket se fjala është e korrigjuar. Po në një tjetër faqe të këtij libri, që është dorëzuar si provë materiale nga SHÇB në Prokurori, shkruhet: “Urdhërdhënësi, gjenerali, ora 14:54 urdhëri: “Asnjë lloj zjarri pa zbatuar ligjin kundër demonstruesve”. Por ka dyshime të forta se edhe në këtë dokument, ka korrigjim në këtë frazë, pasi ka fjalë të mbivendosura në shënim. Sipas SHÇB, bazuar mbi pretendimet e ekspertëve të tij, para korrigjimit, kjo frazë ka qenë: “asnjë lloj zjarri pa dhënë urdhër” dhe më pas i është shtuar, “kundër demonstruesve pa zbatuar ligjin”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb