Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Kur janë mbushur plot pesë vite nga ngjarjet tronditëse të 21 janarit, dosjet e vrasjes së Hekuran Dedës e Aleks Nikës, qëndrojnë të “pluhurosura” në sirtarët e prokurorisë. Gjysmë dekade nuk i ka mjaftuar organit të hetimit, për të zbardhur vrasjet dhe për të çuar në kafazin e hekurt autorët e tyre. Pa autorë, pas kaq shumë kohësh, vazhdojnë të mbeten edhe plagosjet e shtatë demonstruesve. Përgjatë këtyre viteve, drejtësia ka dhënë dy vendime fajësie.

Ndrea Prendi, ish-shefi i Gardës së Republikës, u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit dhe dënua me vetëm 1 vit burg, për akuzën e vrasjes nga pakujdesia në dëm të demonstruesit Faik Myrtaj. Majori Agim Llupo, u dënua për të njëjtën akuzë, me tri vite burg, për vrasjen e Ziver Veizit. Prokuroria këmbënguli në dy shkallët e gjyqësorit, për dënimin me 25 vite për majorin Llupo dhe 23 vite për ish-kryegardistin Prendi.

Por, nuk mundi ta bindë drejtësinë, që t’i kyçë për kaq shumë vite prapa hekurave, dy zyrtarët e Gardës së Republikës, tashmë të dy të larguar nga ky institucion. E ndërsa Llupo dhe Prendi janë në liri të plotë, Gjykata e Lartë prej dy tetorit 2013 mban “peng” në sirtarët e saj dosjen “21 janari”, e cila pa frikë mund të cilësohet si ‘patatja e nxehtë’ e drejtësisë. Kolegji penal ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me këtë dosje, ndonëse janë të paktën dy familje që presin drejtësi, për jetët e humbura të të afërmve të tyre.

Zyra e shtypit e Gjykatës së Lartë e kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, lidhur me vonesën për marrjen e një vendimi për dosjen në fjalë, deklaroi se Kolegji Penal ka përfunduar studimin e dosjes dhe brenda shkurtit do dalë me një vendim nëse “21 janari” do kalojë në seancë gjyqësore për tu shqyrtuar, apo do refuzohet rekursi i prokurorisë. Nëse kalon për shqyrtim, atëherë prokuroria do të mundë të kërkojë dënimin e Prendit dhe Llupos, për akuzën e vrasjes me dashje të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave.

Nëse refuzohet rekursi dhe çështja mbyllet në dhomën e këshillimit, atëherë dosja “21 janari” konsiderohet një kapitull i mbyllur dhe shpresat për mbylljen prapa hekurave të dy të akuzuarve, me shumë gjasë shuhen njëherë e përgjithmonë. Vonesën prej dy vitesh për të dalë në një vendim lidhur me “21 janarin” gjykata e “justifikon” me faktin se është një dosje voluminoze dhe shumë specifike, ndaj kërkohej një studim i thelluar i saj.

Demonstruesit Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, teksa morën pjesën në demonstratën e opozitës së bashkuar të kohës, por ndërsa pritej ndëshkimi i të pandehurve, Gjykata e Tiranës, kërkonte “llogari” që të vërtetonte rrethanat në të cilat kishte qëlluar gjeneral Ndrea Prendi dhe cilat ishin arsyet që e kishin detyruar atë të përdorte armën.

Ndërsa Gjykata e Apelit theksonte ndër të tjera, përdorimi i forcës nga ana e Prendit dhe Llupos duke qëlluar me armë zjarri në ajër pas paralajmërimeve ishte i bazuar në ligj. Por, theksohej më tej në vendim, se sulmi ishte jo proporcional në raport me viktimat, pasi asnjëri prej demonstruesve nuk shfaqej duke kryer veprime agresive.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb