*Rama: Çdo politikan, gjyqtar e prokuror që nuk i vjen turp nga ju, nuk e do reformën në drejtësi
TIRANE –
Pesë vjet nga ngjarjet e dhimbshme të 21 janarit 2011, kur në demonstratën e Partisë Socialiste, atëherë në opozitë, humbën jetën 4 qytetarë, kryeministri Edi Rama theksoi se çdo politikan, gjyqtar dhe prokuror që nuk e ndjen barrën e turpit përballë familjeve dhe jetimëve të protestuesve që u vranë në bulevard, nuk e do reformën në drejtësi.

Gjatë fjalës së tij në takimin me familjarët e Hekuran Dedës, Aleks Nikajt, Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, kryeministri Rama përdori sërish shprehjen drejtësia vonon por nuk harron, për të mbajtur të gjallë shpresën e familjarëve se fajtorët do të vendosen një ditë përpara drejtësisë.

“Prania juaj këtu mjafton si nevoja më therëse e popullit shqiptar për ta nxjerrë drejtësinë nga korrupsioni i errët, nga gjyqtarët që pasurohen përmes padrejtësive prej 25 vjetësh, si domosdoshmëria e shqiptarëve sot për një reformë rrënjësore në drejtësi. Cdo politikan që sot nuk sheh tek familjet tuaja, tek prindërit dhe jetimët e 4 dëshmorëve të 21 janarit, barrën e vet të detyrimit për ti hapur rrugë drejtësisë, nuk do reformën në drejtësi por është pengesa e saj. Cdo prokuror dhe gjykatës që nuk ndjen barrën e turpit përballë jush nuk do reformën në drejtësi”- deklaroi Rama.

“Çdo njëri nga anëtarët e gjykatës së lartë që qysh prej vitit 2013 mban të varrosur dosjen e 21 janarit pa guxuar ta nxjerrë në dritën e gjykimit është sot drejtpërdrejt i akuzuar si fajtor për vuajtjen tuaj 5-vjecare në kërkim të drejtësisë. Fakti rrenqethës që dosja e 21 janarit është e vetmja dosje e mbetur e pagjykuar nga viti 2014 në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që ka nisur puna me dosjet e vitit 2014, del edhe tepron për të kuptuar se kush e  ka kapur për fyti drejtësinë shqiptare. Por krimi shtetëror i 21 janarit, pushkatimi pa gjyq i katër burrave të paarmatosur, hyn në ato raste përmes të cilave historia u ka mësuar popujve se drejtësia vonon por nuk harron. Nuk mundet dot kurrë të tretet, njëlloj si trupat katër të vrarëve nevoja therëse e drejtësisë për 21 janarit.”- theksoi më tej kryeministri Rama.

Pas kaq vitesh, ende nuk është bërë drejtësi për autorët kryesorë që urdhëruan dhe që kryen vrasjet. Në fund të vitit 2014, kryeministri Edi Rama deklaroi në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve se: “Ne si qeveri do të bëjmë ç’është e mundur për të lehtësuar rrugëtimin në jetë të fëmijëve të familjeve të viktimave. Sa i përket drejtësisë, unë vazhdoj të jem i bindur që drejtësia mbi 21 janarin do të vonojë, por nuk do të harrojë. Reforma në drejtësi do të ndihmojë edhe në këtë drejtim”.

Me një vendim të posaçëm, vjet në 21 janar, qeveria akordoi nga një pension për 4 familjet në masën e 500 dollarëve secili. Megjithatë, familjarët nuk rreshtin duke kërkuar që të dënohen autorët e vrasjeve.

Duke akuzuar qeverinë e kaluar por edhe sistemin gjyqësor, Rama tha se ishin ata që “Vranë 4 njerëz nga dritarja e kësaj godine me plumba luftarakë mbi qytetarët dhe ata që shpikën makabritetin e vrasjes si gabim teknik e rivranë të vrarët me çekiçin e drejtësisë”.

Rama tha se nuk mërzitet me ata që e quajnë tradhtar të 21 janarit, ndërsa shton se sot nuk është kokulur, pasi qeveria e tij ka nisur ta rilindë vendin, pa tradhtuar 21 janarin.

“Drejtojnë mbi mua gishtin e akuzës për sfilitjen e drejtësisë, më quajnë tradhtar të 21 janarit. Nuk kam asgjë më ta, ja marr vesh mirë sëkëlldinë kur shohin se si përgjegjësit për atë masakër bilbilojnë dhe kërkojnë llogari ndaj nesh. Është cinike dhe poshtëruese, e di shumë mirë. Por sot nuk jam kokulur para jush, nuk do shkoj kokulur as para përmendoreve të shtrira se nuk e kam tradhtuar 21 Janarin, kemi punuar çdo ditë me përkushtim për reforma shtetndërtuese, për ta rilindur nga autorët e 21 janarit. Nuk kemi tradhtuar askënd që në protestë doli për një Shqipëri më të drejtë, për një qeveri që nuk e vret popullin nga dritaret e kryeministrisë me plumba luftarak, por i shërben atij me përkushtim e bindje të plotë”.

Sipas Ramës, parakusht për të nderuar shtetin e rilindur është reforma në drejtësi. Kryeministri premtoi se ai nuk do ta lejojë Partinë Socialiste ta tradhtojë këtë reformë, duke premtuar kështu se do t’i shkojë deri në fund.

“Pa reformën në drejtësi gjithçka nuk merr dot vlerën që ka realisht. Mirëfunksionimi i drejtësisë është parakusht për të nderuar shtetin që kemi nisur të ndërtojmë, për të siguruar mbarëvajtjen e jetës sociale dhe ekonomike të vendit. Sot të gjitha palët dhe anët, por edhe përfaqësuesit e vetë sistemit të korruptuar thonë se duan reformën në drejtësi, pranojnë se gjendja e drejtësisë është skandaloze, por sigurisht që ky është një teatër, ku palët luajnë rolet e tyre, ku nuk janë të paktë ata që shpresojnë dhe dëshirojnë që reforma në drejtësi të mos bëhet kurrë, apo dëshirojnë që këtë proces shembullor ta katandisin si koshin, në një thelë për tu gllabëruar përsëri nga gojët e shqyera të politikës, siç janë gllabëruar në 20 vjet nga kokoshët. Ka vend për shpresë edhe për politikanët brenda atij sistemi që e duan reformën dhe që janë mbështetës të kësaj reforme. Dua t’ju siguroj se personalisht nuk do lejoj që PS ta tradhtojë reformën në drejtësi, e konsideroj gur themeli për moralin e qeverisjes sonë”.

Rama shtoi se “Shqiptarët e zakonshëm që njësoj si ju kanë të gjithë eksperiencën dhe mençurinë për t’ju vënë të gjithë aktorëve të teatrit të kësaj reforme, emrin që kanë dhe rolet që luajnë, ashtu sikundër njësoj si ju njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që nuk jetojnë duke ngrënë hakun e të tjerëve që nuk e fitojnë lehtë të nesërmen, që nuk e kanë aspak të lehtë të shtrojnë të 3 vaktet në shtëpi e dinë mirë se kush po punon, po përpiqet apo edhe po gabon, duke u përpjekur në qëllimin e mirë për të bërë shtet dhe për t’i dhënë këtij vendi një drejtim të ri dhe se kushdo harbon pikërisht se në këtë vend s’ka drejtësi, s’ka ndëshkueshmëri dhe pikërisht se hajdutët e kanë më të lehtë të thërrasin ‘kapeni hajdutin’!”.

Kryeministri theksoi se do të mbetet zëdhënësi i familjarëve të viktimave të 21 janarit dhe se në çdo hap do udhëhiqet nga domosdoshmëria për të mos e tradhtuar këtë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: