Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pranë ambienteve të televizionit “Top Channel” ku u qëllua me armë zjarri me disa plumba dhe mbeti i vrarë roja i subjektit.

Sipas tij ky është një mesazh i qartë për mediat, ndërsa parashikoi se situata vetëm do përkeqësohet duke marrë parasysh fuqizimin e krimit të organizuar në vend.

Nga ana tjetër anëtari i Kryesisë së PD, Gazment Koduzi ka deklaruar se përmes këtij sulmi është goditur media si një shtyllë e demokracisë, ndërsa shtoi se krimi ka marrë hov duke parë edhe qëndrimin e qeverisë ndaj medias duke i bërë presion për të ndryshuar vijën editoriale.

Pjesë nga biseda:

Sula:

Shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen e të ndjerit. Unë e kam ngritur këtë shqetësim për format e krimit të organizuar dhe ky është një mesazh i qartë për mediat, është një presion i hapur ndaj mediave. Për sa kohë politika këtu ka tension dhe ka segmente të lidhura me krimin dhe që mbështeten prej tyre, krimi merr hov. Nëse nuk vendosemi të gjithë kundër tij, krimi nuk do ndalet. Situata do bëhet edhe më keq sepse fuqia ekonomike e krimit është në shifra alarmante. Shoh një skenar më të zi dhe do ketë përplasje më të egra. Jemi si në Italinë në fund të viteve ’90 kur u vra Giovanni Falcone.

Koduzi:

Është goditur media si një shtyllë e demokracisë. Ky sulm vjen në momentin ku vjen në mendje edhe raporti i DASH ku theksohet pavarësia e medias. Kur krimi shikon që ka një presion nga qeveria ndaj medias për të ndryshuar linjën editoriale, edhe ata marrin hov.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb