TIRANE – Fëmijët e pavijonit të Onko-Hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, përmes teknologjisë, do të mund të ndjekim mësimet në ambientet e spitalit.

Telekom Albania dhuroi 20 tableta për fëmijët e shtruar në këtë pavijon. Këto pajisje teknologjike do t’u shërbejnë fëmijëve të ndjekin programet mësimore nga ambientet e spitalit. Ato kanë të instaluar një program, i cili përmban njohuritë shkollore themelore të shkollës 9-vjeçare për grupmoshat 5-16 vjeç. Në programin e instaluar në këto tableta, mësimet janë të ndara sipas klasave, lëndëve dhe temave duke marrë për model sistemin arsimor të Republikës së Shqipërisë. Lëndët shpjegohen në shqip nëpërmjet regjistrimeve me zë dhe figurë nga mësues dhe shoqërohen të sinkronizuara me video shkencore, filma, imazhe, dokumente, harta specifike, duke shtjelluar, thelluar dhe përditësuar të gjitha temat mësimore të renditura sipas programit arsimor.

“Sot është dita e parë e shkollës për fëmijët e ciklit 9-vjeçar dhe gjithsecili prej këtyre fëmijëve do të donte të ishte me bashkëmoshatarët e tyre në bankat e shkollës, por, për fat te keq, sëmundja e rende nuk e bën të mundur këtë. Kjo e sotmja është një mundësi, që në këtë ditë të veçante, të mund t’jua afrojmë shkollën këtyre fëmijëve, përmes mësimit në distance, falë tabletave me programe mësimore, bazuar në modelin e sistemit arsimor në Shqipëri. Përpos angazhimit tonë maksimal për t’i ofruar mundësi kurimi sa më të plotë fëmijëve të këtij pavijoni, është e rëndësishme që ata të kenë kushte dhe ambient sa më pranë atij të dëshiruarit. Është e rëndësishme që këta fëmijë të mos ndjejnë distancat dhe shkëputjen e madhe nga shkolla, por t’ju mundësojmë vazhdimësinë dhe normalitetin”-u shpreh zv/ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi.

“Ministria e Shëndetësisë mbështet nismat e biznesit ne ndihmë të mirëqenies dhe shëndetit të fëmijëve, duke çmuar qasjen solidare dhe marrjen e përgjegjësisë sociale, të konkretizuar në nisma si kjo e sotmja. Ndaj, gjej rastin të vlerësoj dhe falenderoj Telekom Albania, për këtë iniciativë shumë të çmuar për këta fëmijë”- u shpreh Ekonomi.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb