Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, në një lidhje me Skype në News 24 komentoi aktivitetet që po mbahen në Kosovë, në kohën kur mbushen 25 vite, që kur Kosova ka dalë nga lufta me Serbinë.

Pula theksoi se Kosova sot është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare, duke shtuar se qytetarët jetojnë të lirë, pa pasur frikë se mund të vriten, përdhunohen apo dhunohen. Sipas tij, sanksionet ndaj Kosovës janë të padrejta.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Shqiprim Pula: Kosova 25 vite pas luftës është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, qytetarët jetojnë të lirë. Sot askush nuk vritet, nuk përdhunohet e as nuk dhunohet. Këto janë momente gëzimi për Kosovën, pasi ka tejkaluar gjenocidin serb. Sot në Prishtinë kanë ardhur shumë figura të rëndësishme, prezenca e ish-kryeministrit Tony Blair është e veçantë, pasi ishte Britania e Madhe që ka vlerësuar drejt situatën dhe nisi fushatën e bombardimeve, gjë që gjeti mbështetje edhe nga SHBA dhe ata morën role kryesore në bombardimet ndaj Serbisë. Britania dhe SHBA ndalën gjenocidin ndaj popullit shqiptar. Tony Blair ka thënë se asnjëherë nuk pendohet për atë që ka bërë, sepse ndërlidhi aksionin me lirinë.

Unë do të doja që qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës të bënin një mbledhje të përbashkët. Unë besoj se ka disa dallime në raport me faktin sesi shihet qëndrimi ndaj faktorit ndërkombëtar. Qëndrimet duhet të përbashkoheshin, por sikur Rama e Kurti kanë një dozë inati me njëri-tjetrin. Duhet të kemi unitet si komb. Kosova ka mbrojtur gjithmonë të drejtat e pakicave serbe, duke treguar maturi. Serbia dhe Greqia asnjëherë nuk kanë dashur të mirën e kombit shqiptar. Serbia, siç po bën në Bosnjë, po tenton të bëjë edhe në Kosovë. Atje po vepron me Republikën Srpska, në Kosovë duan të veprojnë me Asociacionin e Komunave Serbe. Serbia vijon me qëndrime ekstremiste, duke mos njohur Kosovën. Ne nuk mund të veprojmë në mënyrë miqësore me Serbinë, për sa kohë ajo ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës. Masat ndaj Kosovës nga ana e BE të padrejta.

(d.xh- Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb