Princi William dhe Princi Harry nuk janë informuar në lidhje me një dokumentar me katër seri që do të publikohet në 25 vjetorin e vdekjes së Princeshës Diana më 31 gusht

Dokumentari i cili titullohet “Hetimi për Dianën: Vdekja në Paris” do të trajtohet si një procedurë policore dhe mjeko-ligjore dhe do të eksplorojë se si individë të fuqishëm, shtypi dhe interneti krijuan dhe nxitën teoritë konspirative që mposhtën faktet dhe vënë në pikëpyetje vetë natyrën e të vërtetës.

Daily Mail raportoi se se Duka i Kembrixhit, 40 vjeç, dhe Duka i Sussex-it, 37 vjeç, nuk janë konsultuar për programin, ose nuk iu është shfaqur paraprakisht një pjesë e asaj që do të transmetohet.
Princesha ishte 36 vjeçe kur vdiq në një aksident automobilistik në Paris më 31 gusht të vitit 1997.

Vdekja e saj ka vazhduar të tërheqë teori konspirative gjatë dekadave.

“Investigating Diana: Death in Paris” do të rrëfejë hetimet e dyfishta për incidentin – i pari nga Brigada Franceze Criminelle në vitin 1997, dhe i dyti nga Policia Metropolitane në vitin 2004.

Ai do të shfaqë intervista me detektivë nga të dyja forcat, disa prej tyre që flasin publikisht për herë të parë.

Dokumentari do të shqyrtojë gjithashtu “kërkesën e pangopur të publikut për përgjigje, e cila nxiti interesin e paprecedentë të shtypit dhe përhapjen e dhomave të bisedave në internet, ku spekulimet mbi ‘shkakun e vërtetë’ të vdekjes së Dianës u bënë një nga ndjesitë e para virale të internetit të hershëm”.

Regjia e dokumentarit është realizuar nga Will Jessop dhe Barnaby Pell dhe në tërësi dokumentari është prodhim i Sandpaper Films.

“Ky ishte një dokument vërtet i rëndësishëm për t’u bërë – jo vetëm sepse shpresojmë se do të pushojë teoritë e konspiracionit që vazhdojnë të errësojnë të vërtetën e asaj që ndodhi në tunelin e Almës atë natë – por sepse historia është një dritare në botën e sotme, ku teoritë e konspiracionit nuk qëndrojnë më në qoshet e errëta të internetit, por janë përhapur dhe në fakt shtyhen nga njerëz në pozita të pushtetit real”, tha Henry Singer, producent ekzekutiv për Sandpaper Films.

Ndërsa, Shaminder Nahal, kreu i redaktorit specialist faktik dhe porositës në kanalin Channel 4, tha se kjo seri jashtëzakonisht bindëse eksploron në detaje mjekoligjore atë që ndodhi në hetimet pas vdekjes së Princeshës Diana.

“Histori që nuk ishte vetëm një tragjedi për familjet e përfshira, por edhe një fenomen masiv në internet. Në fund seriali shtron pyetje të thella për veten si shoqëri dhe natyrën e së vërtetës”, tha ai.

Një tjetër dokumentar që përshkruan jetën e Dianës, i titulluar “The Princess”, do të transmetohet këtë muaj pasi tërhoqi polemika për përfshirjen e pamjeve nga intervista e saj e vitit 1995.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb