Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka marrë pjesë në ceremoninë e 25-vjetorit të Institucionit të Avokatit të Popullit. Gjatë fjalës së saj ajo shprehu mirënjohjen për kontributin e palodhur të këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Ajo theksoi se Avokati i Popullit ka luajtur një rol të rëndësishëm në korrigjimin e problematikave sociale dhe se Kuvendi i Shqipërisë ka trajtuar me seriozitet shumicën e rekomandimeve të tij.
Spiropali nënvizoi gjithashtu rolin kyç të institucionit në procesin e integrimit evropian dhe theksoi angazhimin e Kuvendit për të rritur konsultimin me qytetarët, në mënyrë që çdo raport i Avokatit të Popullit bashku që çdo raport i Avokatit të Popullit të mos ngelen vetëm si procedurë.
Fjala e plotë e Elisa Spiropalit:
“Duke qenë një institucion i ri në një shtet, i cili vinte nga një përvojë e gjatë e shpërfilljes së të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit është dashur që përgjatë 25 vjetëve jo vetëm të kryejë detyrën e tij si mbrojtës i të drejtave të njeriut, por edhe të edukojë. Të edukojë një mënyrë tjetër të operimit të institucioneve shtetërore, një mënyrë më humane, më të ndërgjegjshme dhe respektuese ndaj të drejtës së qytetarit.
Të jemi të qartë, nëse ka një vijë demarkacioni ku ndahet një shtet demokratik nga një autokraci brutale, kjo është qasja e superstrukturës së shtetit ndaj qytetarit të vet. Shteti në vetvete është një instrument force, por kur një shtet kujdeset të ndërtojë e të mirëmbajë mjete që e frenojnë vetë shtetin nga tejkalimi i forcës, manifestimi i arbitraritetit dhe diktati i pashpirt i gërmës mbi frymën, atëherë mund të jemi të sigurt: po jetojmë në demokraci.
Apo më qartë akoma, nëse ngremë pyetjen e thjeshtë: “emri i ç’gjëkafshe është demokracia” atëherë përgjigja më e përafërt me të vërtetën do të ishte ajo që besonte ndoshta në mënyrë ekzotike një ëndërrimtar i hershëm i republikës, europian, si Robespieri: Kur virtyti dobësohet, Republika rrëshqet drejt tiranisë.
Virtyti, është ai pa të cilin forca brutale e makinës shtetërore shfrenohet; edhe pse kjo forcë shtetërore është ajo gjë, pa të cilën virtyti është i pakuptimtë.
Andaj në këtë 25 vjetor, e ndjej detyrë pra t’i them Avokatit të Popullit: faleminderit që punoni çdo ditë ta mbani punën e institucioneve tona të virtytshme e kësisoj edhe republikën tonë – demokratike.
Gjatë çerek-shekullit të fundit, Avokati i Popullit ka zhvilluar një gamë të gjerë iniciativash, nga shqyrtimi i ankesave individuale deri te hartimi i raporteve vjetore e rekomandimeve ligjore, të cilat kanë ndihmuar në zbulimin e dobësive në Administratë dhe në forcimin e transparencës.
Përmes bashkëpunimit me Kuvendin, ky institucion ka kontribuar në korrigjimin e çështjeve të drejtësisë sociale, në përmirësimin e shërbimeve publike dhe në ngritjen e standardeve të trajtimit të grupeve më vulnerabël.
Kuvendi i Shqipërisë ka pranuar dhe ka trajtuar me seriozitet shumicën e rekomandimeve që vijnë nga Avokati i Popullit. Kjo sinergji ka sjellë ndryshime konkrete, për shembull: rishikimi i procedurave të mbrojtjes së fëmijëve në sistemin social, përforcimi i mbikëqyrjes së institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe ndërhyrjet në reformën e shërbimeve shëndetësore për pacientët kronikë.
Ndërkohë që shohim përpara drejt procesit të përshpejtuar të anëtarësimit në Bashkimin Europian, roli i Avokatit të Popullit merr edhe më shumë peshë, edhe më shumë gravitet. Integrimi në familjen tonë natyrale europiane kërkon përputhje të plotë me standardet e të drejtave të njeriut dhe me mekanizmat e pavarur të mbikëqyrjes.
Europa dhe institucionet e saj më shumë se mbi gjithçka tjetër janë të ndërtuara mbi vlerat dhe në qendër të tyre qëndron njeriu, të drejtat e tij të paanulueshme dhe dinjiteti i tij i pacënueshëm. Pikërisht këtu, eksperienca dhe ekspertiza që ju keni ndërtuar përgjatë 25 viteve bëhen një burim i vyer për këshillimin e reformave legjislative dhe administrative.
Si Kryetare e Kuvendit, dua të theksoj se sfidat e së ardhmes kërkojnë një përkushtim të përbashkët. Zbatimi i rekomandimeve tuaja, bashkëpunimi në ngritjen e legjislacionit bashkëkohor dhe shkëmbimi i të dhënave mbi praktikat më të mira ndërkombëtare janë elementë kryesorë për të forcuar besimin e qytetarëve te institucionet.
Për këtë arsye, Kuvendi do të vazhdojë të përmirësojë procedurat e konsultimit me ju dhe do t’i dedikojë vëmendje të posaçme monitorimit të zbatimit të rekomandimeve.
Së bashku, mund të garantojmë që secili raport vjetor i Avokatit të Popullit të mos mbetet vetëm një përmbledhje e situatës, por një bazë për veprime konkrete legjislative dhe administrative.
Në këtë kontekst, i ftoj të gjitha grupet parlamentare, komisionet përkatëse dhe institucionet e qeverisjes qendrore e vendore të bashkohen në forume të rregullta dialogu me Avokatin e Popullit. Vetëm në këtë mënyrë mund të forcojmë sistemin demokratik, të rrisim mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të krijojmë një mjedis funksional ligjor, ku qytetarët ndihen të dëgjuar dhe të mbrojtur.
E nisa me tribunin e çartum të komunës pariziene, Robespierin, por dua ta mbyll me një shprehje të kancelares gjermane Angela Merkel që duket si e krijuar enkas për Avokatin e Popullit të Shqipërisë: Për të ruajtur lirinë, duhet të investosh në institucione të pavarura që e mbrojnë atë. Faleminderit dhe gëzuar 25-vjetorin e Avokatit të Popullit”, u shpreh Spiropali
(BalkanWeb)