Dhjetë persona, që janë pjesë e grupit të kamorrës “Vanella Grassi” janë arrestuar (7 në burg dhe 3 me arrest shtëpie) në përfundim të një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Napolit.

Arrestimet janë zhvilluar me kërkesë të grupit antikamorra, që koordinohet nga prokurori Filippo Beatrice, i cili ka drejtuear edhe hetimet për “Calciopoli”-n. Hetimi aktual ka të bëjë me aktivitetin e klaneve në lidhje bastet e vëna për dy ndeshje të Serisë B.

Ndeshjet në fjalë janë Avellino-Reggina 3-0 (gjatë hetimeve është përgjuar një telefonatë ku thuhet: “Duhet të hamë tre qofte, e kemi barkun plot”) dhe Modena-Avellino 1-0 të sezonit 2013-14, rezultati i të cilave është ndikuar nga klanet. Mes personave që kanë përfunduar nën hetim janë edhe Francesco Millesi, kapiteni i Avellino-s dhe Armando Izzo, aktualisht te Genoa dhe i sapo grumbulluar nga Conte me kombëtaren. Për asnjërin nga të dy nuk është marrë akoma asnjë masë nga drejtësia italiane.

Në bazë të provave të mbledhura deri tani, është zbuluar se kryetari i klanit Umberto Accurso dhe ushtarët e tij kanë ofruar shuma të mëdha parash për të bindur lojtarët që të kushtëzonin rezultatin e dy ndeshjeve Modena-Avellino dhe Avellino-Reggina. Antonio dhe Umberto Accurso, të dy pjesëtar të klanit Vanella Grassi, mësohet t’i kenë premtuar 200.000 euro dhe më pasi i kanë dorëzuar 30.000 euro futbollistit Francesco Millesi, nëpërmjet Luca Pini-t, ish-futbollisti që ka pasur rolin e ndërmjetësit. Millesi duhej ta përdorte këtë shumë, gjithmonë sipas akuzës, për të korruptuar lojtarë të tjerë.

Veçanërisht ka “ndikuar” te Maurizio Peccarisi për të favorizuar golin e Modena-s kundër Avellino-s. Açurso kanë vënë 400.000 euro bast mbi këtë ndeshje, duke fituar 60.000. për sa i takon akuzës tjetër, në lidhje me ndeshjen Avellino-Reggina, Antonio Accurso akuzohet se i ka ofruar 50.000 euro Millesi-t, i cili i ka përdorur për të korruptuar lojtarët e Reggina-s për të favorizuar fitoren e Avellino-s për të cilën vetë Accurso kishte vënë 400.000 euro bast duke fituar 110.000/Telesport
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb