NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Asnjë maturant, i cili mesataren aritmetike të notave të tri viteve të gjimnazit dhe të pesë provimeve të maturës nuk i ka 6, nuk ka të drejtën të aplikojë në institucionet e arsimit të lartë. Përjashtim bëjnë vetëm kandidatët që aplikojnë në programet dyvjeçare me karakter profesional, pasi vendimi i miratuar ditën e djeshme nga qeveria i përjashton nga plotësimi i kriterit të notës mesatare.

Futja si kriter i notës mesatare-dysheme për aplikimet në universitet (publike dhe private) është i sanksionuar në ligjin e ri “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Por në vendimin e djeshëm janë përcaktuar dhe dy treguesit se si do të përllogaritet kjo mesatare aritmetike, të cilët janë: a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë; b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.

Vendimi & mesatarja
Në universitetet publike dhe private të drejtën për të aplikuar për programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, për vitin akademik 2016-2017, e kanë ata kandidatë që plotësojnë kushtin e notës mesatare. “Kanë të drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në vendim. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6 (gjashtë). Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë;
b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.”, përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Sipas VKM-së, përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve janë institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore. Në lidhje me aplikantët që kanë mbaruar gjimnazin jashtë shtetit, në vendim përcaktohet se: “Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste, me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat te njësitë arsimore vendore dhe tek Agjencia Kombëtare e Provimeve”.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: