3 të dhëna përbëjnë një fakt, 3 fitore radhazi mjaftojnë për të thënë që Partizani ka lënë pas krizën totale që e kishte mbërthyer. Nëse dy sfidat kundër Luftëtarit dhe Flamurtarit, dy ekipe të rënë nga kategoria, nuk ishin të mjaftueshme për të thënë që të kuqtë janë rikthyer, fitorja e fundit kundër Laçit ishte një prove forcë, një fitore përballë një rivali direkt që i jep më shumë besim për pjesën e mbetur të sezonit.

Sormani
Sormani

5 javë përpara fundit, kampionët në fuqi, duhet të rikuperojnë 3 pikë për të siguruar një vend në europë por më shumë se sa tre pikët duket të lënë pas 3 rivalë shumë të fortë, Skënderbeun, Laçin dhe Teutën, ose të shpresojnë që Tirana të fitojë edhe Kupën për të liruar një vend në europë nga kampionati. Fati i ekipit kryeqytetas dhe objektivi i tyre i vetëm, sigurimi i një vendi në europë, është i lidhur ngushtë me dy sfidat e radhës, ku duhet të luajnë dy ndeshje delikate, kundër Bylis në transfertë dhe më pas me Tiranën në derbi.

Cinari
Cinari

Pavarësisht se Bylis duket i dorëzuar në kampionat, për të siguruar një vend në europë apo për të shmangur zonën “play our”, Ballshi mbetet gjithnjë një transfertë delikate në çdo moment. Tirana, kundërshtari i tyre në javën e 33-të mund të shpallet matematikisht kampion që këtë javë, nëse mposhtin Kukësin, por sërish, në çdo rast, bardheblutë do të bëjnë gjithçka për të fituar edhe derbin e katër sezonal. Ashtu si rivalët e tyre të përjetshëm edhe Partizani do të bëjnë gjithçka, për të fituar jo vetëm dy sfidat e radhës por të gjithë ndeshjet deri në fund të sezonit, me shpresën që rivalët e tyre të lejnë pikë dhe të shpëtojnë këtë sezon duke siguruar një vend në europë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb